Kryetari dhe drejtori ekzekutiv i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, thotë se SHBA po shkon me shpejtësi drejt greminës ndërsa borxhi i vendit vazhdon të rritet, duke dhënë alarmin se situata duhet të zgjidhet para se të shkaktohet një krizë.
Shefi ekzekutiv i bankës më të madhe të vendit e bëri paralajmërimin gjatë një paneli diskutimi në Qendrën e Politikave Bipartizane, kur atij iu kërkua mendimi i tij se çfarë do të thotë për ekonominë nëse qeveria federale nuk e zgjidh këtë çështje.
Dimon e nisi përgjigjen e tij duke kujtuar sesi ekonomia dukej në vitin 1982, me inflacion rreth 12%, normë kryesore rreth 21.5% dhe papunësi diku rreth 10% dhe borxhi ishte rreth 35% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai vuri në dukje se sot raporti i borxhit ndaj PBB-së është mbi 100% dhe tha se parashikohet të arrijë në 130% deri në vitin 2035.
“Është një greminë, ne e shohim greminën. Është rreth 10 vjet larg, por ne po shkojmë me 100 km/h drejt saj.”
Perspektiva për nivelin e borxhit federal është e zymtë, me ekonomistët që i bien gjithnjë e më shumë kambanave të alarmit mbi ritmin e shpejtë të shpenzimeve nga Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë.
Gjetjet e fundit nga Zyra e Buxhetit të Kongresit tregojnë se borxhi kombëtar pothuajse do të dyfishohet në tre dekadat e ardhshme. Në fund të vitit 2022, borxhi kombëtar u rrit në rreth 97% të prodhimit të brendshëm bruto. Sipas ligjit aktual, kjo shifër pritet të rritet në 181% në fund të vitit 2053 – një barrë borxhi që do të tejkalojë shumë çdo nivel të mëparshëm.
Nëse ky borxh materializohet, mund të rrezikojë pozitën ekonomike të Amerikës në botë.
