Kodi Doganor pritet t’i nënshtrohet një rishikimi të gjerë, që prek procedurat e bizneseve në dogana, mënyrën e ankimit ndaj vendimeve, garancitë, kamatëvonesat, kursin e këmbimit, sanksionet dhe përdorimin e sistemeve elektronike.
Projektligji me ndryshimet në ligjin nr.102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i hedhur për konsultim publik, synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian. Sipas relacionit, ndërhyrjet synojnë njëkohësisht lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomikë dhe përgatitjen e Shqipërisë për aderimin në Konventën e Transitit të Përbashkët.
Një nga ndryshimet me efekt të drejtpërdrejtë financiar për bizneset lidhet me kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara. Projektligji vendos një tavan: shuma maksimale e kamatëvonesës që mund të aplikojë administrata doganore nuk mund të tejkalojë vetë shumën e detyrimit të importit ose eksportit mbi të cilin ajo llogaritet. Relacioni e evidenton pikërisht vendosjen e këtij kufiri si një nga ndryshimet më të prekshme të projektit.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për të drejtën e ankimit. Çdo person do të ketë të drejtën të kundërshtojë një vendim të autoriteteve doganore që e prek drejtpërdrejt dhe individualisht. E njëjta e drejtë i njihet edhe subjektit që ka kërkuar një vendim nga Doganat, por nuk e ka marrë atë brenda afatit ligjor.
Kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është organi më i lartë administrativ, ankimi parashikohet të bëhet brenda 15 ditëve nga njoftimi, ndërsa Doganat duhet të vendosin brenda 30 ditëve. Kur vendimi është marrë nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, personi mund t’u drejtohet autoriteteve gjyqësore brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit ose nga përfundimi i afatit të shqyrtimit të aplikimit.
Forcohet gjithashtu pozita procedurale e biznesit përpara se Doganat të marrin një vendim negativ. Autoriteti duhet t’i komunikojë aplikuesit arsyet mbi të cilat synon të mbështesë vendimin dhe t’i japë mundësi të paraqesë pikëpamjet e tij. Vendimi përfundimtar negativ duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë edhe të drejtën e ankimit.
Një tjetër ndryshim prek garancitë doganore. Kur Doganat kërkojnë garanci për një borxh ekzistues ose të mundshëm, ajo do të mbulojë detyrimin e importit ose eksportit dhe detyrimet e tjera të lidhura me importin, eksportin apo transitin kombëtar ose të përbashkët. Ndërkohë, parashikohet mundësia që Doganat të mos kërkojnë depozitimin e garancisë për mallra me natyrë tregtare kur vlera nuk kalon ekuivalentin në lekë të 1,000 eurove ose 1,000 kg peshë neto, si edhe për mallrat me natyrë jotregtare.
Projektligji rishkruan edhe mënyrën e përcaktimit të kursit të këmbimit që përdoret nga Doganat. Për përcaktimin e vlerës doganore dhe detyrimeve të importit apo eksportit do të përdoret kursi i Bankës së Shqipërisë i publikuar të mërkurën e parafundit të çdo muaji. Ky kurs do të zbatohet për një muaj, duke nisur nga dita e parë e muajit pasardhës. Për raste të tjera parashikohet një kurs vjetor, ndërsa nëse kursi ditor lëviz me të paktën 5% mbi ose nën nivelin e përcaktuar, ai zëvendësohet me kursin ditor.
Rishikimi prek edhe sanksionet doganore. Kodi do të përcaktojë shprehimisht se sanksionet duhet të jenë “efektive, proporcionale dhe dekurajuese”. Masat administrative mund të përfshijnë pagesë monetare, por edhe revokimin, pezullimin ose ndryshimin e autorizimeve që zotëron subjekti.
Ndryshime bëhen gjithashtu në seksionin e shkeljeve doganore. Ndër të tjera, shtohet si shkelje mosrespektimi i detyrimit për paraqitjen brenda afatit të mallrave të vendosura në procedurën e transitit, ndërsa në disa dispozita kriteri lidhet tashmë me faktin nëse shkelja sjell apo jo diferenca në pagesën e detyrimeve që duhen paguar. Sipas relacionit, rishikimi synon të shmangë mbivendosjen e të njëjtave shkelje në dispozita të ndryshme dhe të reduktojë interpretimet subjektive në zbatimin e sanksioneve.
Një pjesë e konsiderueshme e reformës lidhet me digjitalizimin e Doganave. Në Kod futet “dritarja e vetme kombëtare për doganat”, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Financave dhe AKSHI ngarkohen të bashkëpunojnë për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe përdorimin e sistemeve elektronike për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit.
Në të njëjtën linjë, terminologjia e Kodit ndryshon në masë të gjerë për t’u përshtatur me atë evropiane. Termi “regjim doganor” zëvendësohet me “procedurë doganore”, “garanci globale” me “garanci gjithëpërfshirëse” dhe “teknikat informatike” me “teknikat elektronike”.
Projektligji zgjeron edhe kuadrin për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO). Shqipëria mund të njohë statusin AEO dhe përfitimet që burojnë prej tij edhe për operatorë të vendosur jashtë territorit doganor shqiptar, nëse kushtet e vendit përkatës njihen si ekuivalente. Njohja do të mbështetet në reciprocitet dhe në marrëveshje ndërkombëtare ose në legjislacionin shqiptar përkatës.
Ndryshimet lidhen ngushtë edhe me përgatitjet për Konventën e Transitit të Përbashkët dhe sistemin NCTS. Relacioni sqaron se Shqipëria po ndërmerr hapat për aderimin në Konventë dhe se projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor ka përfshirë mbështetjen për sistemin kombëtar të transitit, regjistrimin EORI dhe përafrimin me Sistemin e Ri të Kompjuterizuar të Transitit të BE-së.
Në një perspektivë më të gjatë, projektligji përgatit edhe kalimin drejt zbatimit të drejtpërdrejtë të kuadrit doganor të BE-së pas anëtarësimit të Shqipërisë. Një pjesë e dispozitave kombëtare që rregullojnë procedurat doganore parashikohet të shfuqizohen në datën e aderimit, kur referencat përkatëse do të lidhen drejtpërdrejt me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian.
Në tërësi, ndryshimet e propozuara shkojnë përtej një harmonizimi teknik të Kodit. Për bizneset që importojnë dhe eksportojnë, elementët më të prekshëm janë tavani i kamatëvonesës, rregullat e reja të ankimit, e drejta për t’u dëgjuar përpara një vendimi negativ, ndryshimet në garancitë doganore, përcaktimi i kursit të këmbimit dhe rishikimi i sistemit të shkeljeve dhe sanksioneve. /ekofin.al
