Franca po përballet me presion në rritje për të vënë nën kontroll financat publike, ndërsa përgatitet për një paketë prej 54 miliardë eurosh shkurtimesh të shpenzimeve për vitin e ardhshëm.
Borxhi i Francës po rritet dhe këtë vit pritet të arrijë nivelin më të lartë që nga viti 1978, për shkak të deficitit në rritje, bëri të ditur në fundjavë Ministria Franceze e Financave.
Një burim i ministrisë u tha gazetarëve se borxhi publik do të arrijë në 119.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026 dhe 121.7% në vitin 2027, më shumë se dyfishi i kufirit referencë prej 60% të PBB-së, të cilin vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të synojnë.
Sipas Institutit Francez të Statistikave (Insee), këto shifra nuk janë parë që nga viti 1978.
Burimi tha se rritja e borxhit është “automatike”, si “pasojë e një deficiti që mbetet i lartë”.
Franca është vendi i tretë më i borxhuar në eurozonë, pas vetëm Greqisë dhe Italisë. Në Spanjë, borxhi ra nën 100% të PBB-së në korrik, ndërsa Portugalia e uli borxhin nën 90% të PBB-së në vitin 2025.
Sipas rregullave të BE-së, deficiti publik – diferenca vjetore midis të ardhurave dhe shpenzimeve – duhet të jetë jo më shumë se 3% e PBB-së.
Por vitin e kaluar ai arriti në 5.1% të PBB-së, ndërsa qeveria parashikon që këtë vit të arrijë në 5.4%.
Franca, e cila prej dy vitesh është nën monitorim të posaçëm nga Bashkimi Evropian për shkak të këtyre shifrave të larta, pret që deficiti të ulet në 5% vitin e ardhshëm, kur vendi do të zhvillojë zgjedhjet për presidentin dhe qeverinë e ardhshme.
Qeveria i ka dorëzuar masat e projektbuxhetit për vitin 2027 për shqyrtim te një organ i pavarur fiskal, Këshilli i Lartë i Financave Publike (HCFP), për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tyre në aspektin makroekonomik.
Shkurtime masive në vitin 2027
Kryeministri Sebastian Lecornu, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të enjten, tha se qeveria planifikon të bëjë rregullime dhe shkurtime në vlerën e 54 miliardë eurove në buxhetin e vitit 2027.
Por, me zgjedhjet në horizont, ai ia la parlamentit vendimin për disa nga masat më të ndjeshme, si propozimi i qeverisë për uljen e lehtësive fiskale për pensionistët.
Kreu i Komisionit të Financave të Parlamentit ka kundërshtuar tashmë, duke argumentuar se shkurtimet e buxhetit do të prekin të gjitha shtresat e popullsisë pa dallim dhe, për pasojë, do të godasin më rëndë shtresat më të varfra.
Megjithatë, drejtuesja e Këshillit të Lartë të Financave Publike, në një intervistë për të përditshmen Le Parisien, tha se ende ka kohë për të korrigjuar kursin.
“Kriza as nuk është e sigurt dhe as e pashmangshme – dhe nuk është rezultati i vetëm i mundshëm”, tha Amélie de Montchalin.
“Franca nuk është e dënuar, nëse zgjedhjet që do të bëhen janë të shpejta dhe të përgjegjshme”, argumentoi ajo.
Parashikimi për rritjen ekonomike në vitin 2026 është rishikuar së fundmi në ulje, ndërsa ekonomia franceze është goditur nga shpenzimet e dobëta të konsumatorëve dhe, së fundmi, nga rritja e çmimeve të energjisë për shkak të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. /Përshtati nga euronews, ekofin.al
