Gratë që punojnë në sektorin e shëndetësisë në Evropë — një sektor ku ato përbëjnë shumicën — fitojnë mesatarisht 19% më pak për orë se burrat, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të ri.
Sektori i shëndetësisë dhe kujdesit është punëdhënësi i katërt më i madh dhe njëkohësisht punëdhënësi më i madh për gratë në Rajonin Europian të OBSH-së. Gratë përbëjnë 77% të fuqisë punëtore në shëndetësi, krahasuar me 45% në të gjithë sektorët e tjerë së bashku. Megjithatë, ato përbëjnë vetëm 55% të punonjësve me të ardhurat më të larta në këtë sektor.
“Gratë përbëjnë shumicën e njerëzve që mbajnë në këmbë sistemet shëndetësore të Evropës, por megjithatë paguhen më pak se kolegët e tyre burra, një hendek që akumulohet gjatë gjithë karrierës profesionale”, tha Natasha Azzopardi Muscat, drejtoreshë e Divizionit për Sistemet Shëndetësore në OBSH Evropë.
Hendeku gjinor i pagave — diferenca në pagën mesatare midis burrave dhe grave në punësim të paguar — është më i madh në nivelet më të larta të pagave. Për pagën për orë, ai varion nga 2% mes punonjësve me të ardhurat më të ulëta në mbi 22% në pjesën më të lartë të shpërndarjes së pagave.
Sektori ka një rëndësi të veçantë për punësimin e grave, konstatoi raporti. Ai përfaqëson pothuajse 17% të të gjithë punësimit të grave, krahasuar me 5% për burrat.
Këto gjetje ndjekin të njëjtin model të dokumentuar edhe në tregun më të gjerë të punës: pabarazitë strukturore thellohen në nivelet më të larta të pagës dhe hierarkisë profesionale.
Në nivel global, sektori i shëndetësisë pasqyron të njëjtën tendencë si Europa, me gratë që fitojnë mesatarisht 24% më pak se burrat — një hendek më i gjerë se në shumë industri të tjera.
Çfarë fshihet pas kësaj diference?
Autorët theksojnë se një pjesë e hendekut të pagave në sektorin e shëndetësisë mund të shpjegohet nga ndryshimet në faktorë që lidhen me punën, si mosha, arsimi, sektori i punësimit — publik apo privat — si dhe lloji i punësimit, me kohë të plotë apo të pjesshme.
Pas korrigjimit për këta katër faktorë, hendeku i pagës për orë zbret nga 19% në 6%, ndërsa hendeku i pagës mujore nga 28% në 10%.
Megjithatë, pjesa e mbetur e diferencës së pagave nuk mund të shpjegohet nga faktorët e matur në të dhëna.
“Pjesa më e madhe e këtij hendeku nuk lidhet me faktin se gratë punojnë më pak orë, janë më të reja apo punojnë në pjesë të ndryshme të sektorit”, shpjegoi Azzopardi Muscat. “Ajo lidhet me mënyrën se si sektori e vlerëson punën e grave. Mosha, arsimi, orët e punës dhe punësimi në sektorin publik apo privat shpjegojnë vetëm një pjesë të diferencës.”
Sipas OBSH-së, raporti evidenton faktorë më të thellë strukturorë, si nënvlerësimi i punës së kujdesit, ndarja gjinore sipas profesioneve dhe diskriminimi i mundshëm në praktikat e përcaktimit të pagave.
Sa më e lartë të jetë përqindja e grave në një kategori profesionale, aq më e ulët priret të jetë paga — një model që vihet re si në pozicionet menaxheriale, ashtu edhe në ato profesionale dhe teknike.
Për shembull, pozicionet menaxheriale në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit punësojnë më shumë gra sesa pozicionet menaxheriale në sektorë të tjerë, por paguhen më pak: mesatarisht 22 euro në orë, kundrejt 24.70 eurove në role të krahasueshme jashtë këtij sektori.
Kostoja më e gjerë e hendekut
Hendeku gjinor i pagave mbetet një nga format më të qëndrueshme të pabarazisë në tregun e punës, thekson OBSH.
Duke marrë parasysh numrin e madh të grave që punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit, kjo diferencë mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike dhe sociale.
Raporti thekson se kjo pabarazi mund të çojë në të ardhura më të ulëta gjatë gjithë jetës dhe në pensione më të ulëta, të rrisë rrezikun e varfërisë për gratë, të ulë kthimin ekonomik nga investimi në arsim dhe të dëmtojë rritjen e qëndrueshme ekonomike.
“Kjo do të thotë pensione më të ulëta, më pak siguri financiare në moshën e tretë dhe një rrezik më të lartë varfërie për gratë që e kanë kaluar gjithë jetën e tyre profesionale duke u kujdesur për të tjerët”, tha Azzopardi Muscat.
“Kjo nuk është rastësi dhe nuk lidhet me kualifikimet. Gratë paguhen më pak për të njëjtën punë dhe anashkalohen për pozicionet që paguajnë më shumë.”
Mbyllja e hendekut gjinor të pagave është, për këtë arsye, si një domosdoshmëri për barazinë, ashtu edhe një investim në një fuqi punëtore shëndetësore më të fortë dhe më të qëndrueshme, thekson organizata ndërkombëtare e shëndetësisë.
Për këtë qëllim, OBSH rekomandon masa të synuara, nga garantimi i transparencës së pagave dhe rritja e përfaqësimit të grave në pozicionet vendimmarrëse, deri te adresimi i normave gjinore dhe stereotipeve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
