Tirana pret këto ditë ekspertë dhe zyrtarë të FBI-së, drejtues të strukturave ligjzbatuese shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, në kuadër të një konference që do të vendosë në qendër bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe sfidave të reja të sigurisë.
Nga dita e sotme deri në 23 shtator 2026, në kryeqytet zhvillohet sesioni i 42-të i trajnimit i FBINAA European Chapter, nën temën “Building International Partnerships – Combating Organized Crime for a Safer Environment”. Programi parashikon disa ditë konferencë, prezantime profesionale, takime dhe shkëmbim eksperiencash mes ekspertëve amerikanë, shqiptarë dhe evropianë.
Një pjesë e rëndësishme e axhendës, të cilën e disponon ekofin.al, i është rezervuar pikërisht ekspertëve të FBI-së. Që këtë të dielë, Robert Hanratty, FBI Assistant Law Enforcement Attaché në Legatën e Budapestit, do të prezantojë eksperiencën 25-vjeçare të grupit të përbashkët kundër krimit të organizuar në Budapest. Pas tij, Adam Greenspan, Supervisory Special Agent në FBI Washington Field Office, do të trajtojë rolin e partneriteteve ndërinstitucionale në reduktimin e kërcënimeve.
Konferenca do të hapet zyrtarisht të hënën, më 21 shtator, ndërsa në listën e të ftuarve të parashikuar në axhendë janë drejtues të lartë të institucioneve shqiptare dhe amerikane. Mes tyre renditen Zëvendësdrejtori Ndihmës në selinë qendrore të FBI-së, Spencer Horn, FBI Law Enforcement Attaché në Legat Sofia, Brendan Collins, si dhe drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK, BKH-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Në axhendë figuron gjithashtu Presidenti Ndërkombëtar i FBINAA, Jim Gallagher.
Diskutimet do të shkojnë përtej formave tradicionale të krimit të organizuar. Stephanie Stevens, FBI Assistant Law Enforcement Attaché në Berlin, do të flasë për hetimin e rrjeteve të fortifikuara të komunikimit kriminal, një temë që lidhet drejtpërdrejt me sfidat që teknologjitë e komunikimit të koduar kanë krijuar për strukturat ligjzbatuese.
Një tjetër ekspert i FBI-së, Colby O’Very, do të trajtojë ekstremizmin e dhunshëm nihilist, ndërsa programi e lidh këtë tematikë edhe me eksperiencën shqiptare në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Një prej temave më aktuale të konferencës pritet të jetë edhe teknologjia e dronëve. Më 22 shtator, Juan Carlos Sanchez dhe Ethan Howell nga FBI Laboratory Division, Technical Exploitation Unit, do të zhvillojnë një prezantim të posaçëm mbi “Drone Technology”. Në të njëjtën ditë do të diskutohet edhe krimi kibernetik pa kufij dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.
Për Shqipërinë, takimet do të shërbejnë edhe si një platformë për prezantimin e eksperiencës së institucioneve vendase. Policia e Shtetit do të trajtojë hetimet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa në program janë përfshirë prezantime nga strukturat e luftës kundër krimit kibernetik, INTERPOL-i dhe njësia speciale RENEA.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve do t’i kushtohet edhe goditjes së krimit në aspektin financiar dhe administrimit të pasurive kriminale. Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja, do të prezantojë temën “Nga konfiskimi tek e mira publike”.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, do të flasë mbi inteligjencën financiare si një shtyllë strategjike në luftën kundër krimit të organizuar.
Axhenda parashikon gjithashtu prezantimin e një rasti të suksesshëm të hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe një diskutim mbi tendencat e grupeve kriminale dhe përgjigjen e strukturave ligjzbatuese, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptarë të EUROPOL-it.
Takimet disa-ditore në Tiranë marrin kështu profilin e një forumi të gjerë profesional mes FBI-së dhe strukturave ligjzbatuese shqiptare e evropiane, ku krimi i organizuar, komunikimet kriminale, ekstremizmi, dronët, krimi kibernetik, inteligjenca financiare, konfiskimi i pasurive dhe bashkëpunimi në hetime do të jenë ndër temat kryesore të diskutimit. Sesioni përmbyllet më 23 shtator, pas diskutimeve mbi bashkëpunimin ndërkombëtar për ekstradimet dhe prezantimit të sesionit të ardhshëm të FBINAA European Chapter. /ekofin.al
