Agjencia ndërkombëtare “Moody’s Ratings” ka përmirësuar perspektivën e vlerësimit të Shqipërisë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke sinjalizuar se financat publike dhe pozicioni i jashtëm i vendit janë forcuar më tej. Vlerësimi sovran nuk ka ndryshuar dhe mbetet në Ba3, por ndryshimi i perspektivës tregon se mundësia për një përmirësim të ardhshëm të tij është rritur nëse tendencat aktuale fiskale, ekonomike dhe institucionale vijojnë. Në mars të këtij viti Moody’s e kishte konfirmuar Shqipërinë në Ba3 me perspektivë “të qëndrueshme”.
Sipas raportit të Moody’s, të cilin e disponon ekofin.al, vendimi mbështetet te forcimi i pozicionit fiskal dhe atij të jashtëm të Shqipërisë, që, nëse ruhet, rrit aftësinë e ekonomisë për të përballuar goditjet. Agjencia evidenton gjithashtu përshpejtimin e reformave strukturore të lidhura me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Vazhdimi i këtyre reformave, sipas saj, mund të përmirësojë eficiencën e administratës publike, efektivitetin e politikës fiskale dhe sundimin e ligjit.
Në financat publike, Moody’s evidenton se Shqipëria ka regjistruar suficite të vogla primare në secilin prej tre viteve të fundit, pas vendosjes së rregullit fiskal që kërkon një bilanc primar jo negativ. Për vitet 2026 dhe 2027, agjencia pret që deficiti buxhetor të jetë mesatarisht 2.3% e PBB-së, kryesisht për shkak të shpenzimeve më të larta kapitale, për t’u ulur gradualisht drejt 1.6% të PBB-së në vitin 2030.
Edhe borxhi publik pritet të vijojë rënien. Moody’s parashikon që ai të zbresë në 50.2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52.9% në fund të vitit 2025, i mbështetur nga rritja ekonomike dhe mbajtja nën kontroll e deficitit.
Përmirësimi më i fortë shihet në marrëdhëniet me jashtë. Deficiti i llogarisë korrente ra në vetëm 0.7% të PBB-së në vitin 2025, nga 2.4% në 2024, niveli më i ulët i regjistruar sipas Moody’s. Agjencia pret që deficiti të mbetet i ulët, mesatarisht rreth 1% të PBB-së në 2026–2027, i mbështetur nga të ardhurat e forta nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme të remitancave. Rezervat valutore arritën rreth 7.9 miliardë euro në qershor 2026, të mjaftueshme për të mbuluar më shumë se shtatë muaj importe.
Ndryshimi i perspektivës është kështu më shumë se një konfirmim i vlerësimit ekzistues: në mars Moody’s i shihte rreziqet pozitive dhe negative rreth nivelit Ba3 si të balancuara, ndërsa gjashtë muaj më vonë vlerësimi ka kaluar në perspektivë pozitive. /ekofin.al
