Gjykatat shqiptare vazhdojnë të mos respektojnë plotësisht afatin ligjor për rishikimin e masave të detyrueshme mjekësore ndaj pacientëve psikiatrikë forensikë, ndërsa në listën e personave të mbajtur në Shënkoll ka pacientë ndaj të cilëve masa mjekësore ishte vendosur qysh në vitin 1992.
Sipas ligjit, një vendim për trajtim të detyrueshëm sipas nenit 46 të Kodit Penal duhet të rishikohet nga gjykata të paktën një herë në vit. Për personat e vendosur përkohësisht në institucion psikiatrik sipas nenit 239 të Kodit të Procedurës Penale, rishikimi duhet të bëhet çdo tre muaj.
Në vizitën e vitit 2023, ekipi i vëzhguesve të Këshillit të Evropës kishte konstatuar se rishikimi gjyqësor mund të vonohej deri në katër vjet. Në vizitën e vitit 2026, stafi i institucioneve i tha delegacionit se vonesat për masat sipas nenit 46 ishin reduktuar në më pak se dy vjet. Por delegacioni thekson se nuk iu paraqitën të dhëna që ta provonin këtë, ndërsa edhe një vonesë nën dy vjet mbetet mbi afatin ligjor prej një viti.
Raporti ngre edhe një problem tjetër: CPT takoi persona ndaj të cilëve masa mjekësore ishte vendosur pas kryerjes së veprave të lehta penale. Sipas Komitetit, shumë prej tyre mund të trajtoheshin në sistemin civil të psikiatrisë dhe, në disa raste, edhe si pacientë ambulatorë, nëse në Shqipëri do të ekzistonte infrastruktura e duhur.
Në përfundimet e raportit, Këshilli i Evropës thekson se gjykatat vazhdojnë të mos kryejnë në kohë rishikimet vjetore të detyrueshme. Komiteti lidh qëndrimin e zgjatur të disa pacientëve edhe me mungesën e alternativave jashtë institucioneve të sigurisë dhe të një sistemi funksional të kujdesit komunitar.
Një shënim në raport tregon sa e gjatë mund të jetë historia e disa rasteve: në listën e pacientëve të strukturës së përkohshme kishte persona ndaj të cilëve masa mjekësore ishte vendosur që në 1992.


Raporti thekson gjithashtu se autoritetet vijojnë ta interpretojnë një masë mjekësore të vendosur nga gjykata si autorizim për trajtim kundër vullnetit të pacientit. Sipas CPT-së, kur një pacient refuzon barnat e përshkruara, ato mund t’i administrohen me forcë, një praktikë për të cilën Komiteti kërkon ndryshim. /ekofin.al

