Realizoni të ardhura online? Duhet t’i deklaroni, përndryshe rrezikoni të penalizoheni.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se deklarimi i DIVA-s për 2024 do të përfshijë edhe çdo të ardhur të realizuar përmes platformave Meta, Facebook, Youtube, Google etj., qofshin të arkëtuara me bankë apo me Paypal.
Për herë të parë, gjithashtu, duhet të deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë përmes platformave si Airbnb dhe Booking, çka pritet të rrisë numrin e individëve që do të raportojnë.
31 marsi është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024. Detyrimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës e kanë të gjithë ata individë rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
- kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
- janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
- realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim,
DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Tatimet sqarojnë se ata individë që nuk përmbushin këtë detyrim ligjor do të gjobiten sipas parashikimeve të Ligjit të Procedurave Tatimore.
Sipas ligjit, gjoba 3 mijë lekë hyn automatikisht në fuqi për të gjithë individët që kanë detyrimin për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave, por nuk e kanë përmbushur këtë detyrim deri në datën 31 mars. Por ky është vetëm sanksioni i parë. Më pas ligji i jep të drejtë administratës tatimore që të bëjë rivlerësim tatimor të individit.
Tatimet parashikojnë që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion në 1.2 milion, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme. /ekofin.al

