Vetëm pak ditë pasi deklaroi nisjen e pagesave për përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim një pjesë të aplikimeve. Vendimi, i komunikuar përmes një njoftimi të shkurtër dhe teknik, më shumë të fshehur sesa të publikuar në faqen zyrtare të AZHBR-së, në vend që të sqarojë situatën, hap një seri pikëpyetjesh mbi mënyrën se si është administruar deri tani procesi.
Njoftimi është publikuar më 15 shtator në seksionin “Njoftime për fermerët”. Në të njëjtën ditë AZHBR ka publikuar edhe lista për rishqyrtim administrativ për 5 masa: Masa 1 për gjedhin, Masa 2 për tufat e të imtave, Masa 3 për bletarinë, Masa 4 për dosat dhe Masa 8 për sipërfaqet e mbjella.
Por çfarë ka ndodhur realisht me këto aplikime dhe përse problemi është konstatuar vetëm tani?
Sipas vetë AZHBR-së, gjatë një “rikontrolli administrativ” është konstatuar se lista e aplikantëve të përjashtuar për një periudhë 3-vjeçare, sipas një liste bashkëlidhur, ishte hartuar jo në përputhje me Udhëzimin nr.14, datë 28.03.2025, që rregullonte administrimin e fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për masat e vitit 2025.
Për këtë arsye, AZHBR thotë se ka vendosur të shfuqizojë listat e aplikantëve të përjashtuar nga e drejta e përfitimit për tre vjet dhe të rikthejë aplikimet e tyre në procedurën e shqyrtimit administrativ.
Kjo do të thotë praktikisht se kandidatë që deri dje konsideroheshin jashtë skemës, tashmë rikthehen në garën për fondet e vitit 2026.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi i transparencës.
AZHBR nuk sqaron në njoftim se përse u përjashtuan fillimisht, cili ishte konkretisht gabimi në hartimin e listës, kush e konstatoi atë, në çfarë faze u krye “rikontrolli administrativ” dhe, mbi të gjitha, çfarë ndikimi do të ketë rikthimi i këtyre aplikimeve mbi fermerët e tjerë që kanë kaluar procedurat.
Njoftimi mbështetet në një seri referencash ligjore – Udhëzimi nr.8, datë 14.05.2026, Vendimi nr.65, datë 03.09.2026 dhe Udhëzimi nr.14, datë 28.03.2025 – por fermerit që pret të marrë mbështetjen financiare nuk i shpjegohet në gjuhë të drejtpërdrejtë se çfarë ka ndryshuar dhe pse.
Faqja e AZHBR-së konfirmon se Udhëzimi i përbashkët nr.8, datë 14.05.2026, është pjesë e bazës ligjore të Skemës Kombëtare 2026. Ndërkohë, institucioni ka publikuar në faqen e Skemës 2026 edhe lista të përfituesve për masat përkatëse.
Kjo e bën edhe më të rëndësishëm sqarimin e statusit të procesit: cilat lista janë përfundimtare, cilat po rihapen dhe a ndryshon numri apo masa e financimit për fermerët e tjerë?
Çështja nuk është vetëm procedurale. Për disa prej masave, nëse fondi në dispozicion është më i vogël se kërkesa totale e aplikimeve të listës përfundimtare të përfituesve, financimi për njësi dhe për subjekt mund të reduktohet proporcionalisht. Një mekanizëm i tillë parashikohej shprehimisht edhe në udhëzimin e vitit 2025, të cilit vetë AZHBR i referohet në njoftimin e ri.
Pra, rikthimi i aplikantëve nuk është domosdoshmërisht një veprim pa pasoja për pjesën tjetër të skemës. Në varësi të numrit të aplikimeve të rikthyera dhe fondit të disponueshëm, ai mund të ketë efekt mbi shpërndarjen përfundimtare. Pikërisht për këtë arsye, AZHBR duhet të publikojë të dhëna të plota dhe jo vetëm një njoftim me referenca juridike.
Situata bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të fazës në të cilën ndodhet Skema Kombëtare 2026. AZHBR kishte njoftuar më herët se 42,728 fermerë aplikuan në skemën e këtij viti, ndërsa në faqen e institucionit tashmë gjenden të publikuara lista përfituesish për një numër masash.
Rihapja e procesit pikërisht në këtë fazë, pa një shpjegim të detajuar publik, krijon terren për dyshime mbi integritetin e procesit. Kur ndryshohen lista, rikthehen aplikantë të përjashtuar dhe rihapet shqyrtimi administrativ në prag të përmbylljes së procesit, transparenca duhet të jetë shumë më e lartë se një njoftim prej disa paragrafësh.
Edhe afatet mbeten një pikë tjetër e paqartë. AZHBR thotë vetëm se për aplikimet që rikthehen, shqyrtimi administrativ dhe llogaritja e afateve për dorëzimin e dokumentacionit shtesë fillojnë nga dita pasardhëse e njoftimit. Nuk jepet megjithatë një datë se kur procesi do të përfundojë dhe kur fermerët do të kenë një listë përfundimtare të pakontestueshme.
Për një skemë që shpërndan para publike dhe nga e cila varen mijëra fermerë, kjo nuk është një çështje komunikimi formal. Është çështje transparence mbi administrimin e fondeve.
AZHBR ka detyrimin të bëjë të qartë jo vetëm se çfarë vendimi ka marrë, por edhe pse e ka marrë, kë prek dhe çfarë ndryshon në shpërndarjen e parave. /ekofin.al

