Grupi hungarez i teknologjisë dhe telekomunikacionit 4iG Nyrt. po përgatitet për një nga hapat më të rëndësishëm në strategjinë e tij të ndërkombëtarizimit: listimin e aksioneve në bursën amerikane Nasdaq.
Lajmi është bërë i ditur nga Gellért Jászai, Kryetar dhe CEO i 4iG, i cili njoftoi përmes një postimi në LinkedIn se Bordi i kompanisë ka miratuar nisjen e përgatitjeve për një listim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Jászai, objektivi aktual është që procesi të realizohet në tremujorin e katërt të vitit 2027, megjithëse afati do të varet nga përfundimi me sukses i fazës përgatitore dhe përmbushja e të gjitha kërkesave rregullatore.
“Për ne, Nasdaq nuk është një qëllim në vetvete. Është hapi i radhës në strategjinë tonë të rritjes ndërkombëtare dhe të tregjeve të kapitalit”, shkruan drejtuesi i 4iG.
Në rast se procesi përfundon me sukses, sipas Jászai, 4iG mund të bëhet kompania e parë hungareze aksionet e së cilës tregtohen në Nasdaq. Për grupin, hyrja në tregun amerikan synon të zgjerojë aksesin në kapital ndërkombëtar dhe veçanërisht te investitorët institucionalë në SHBA.
Listimi potencial vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë financimi që 4iG po ndërton në tregjet ndërkombëtare. Jászai e lidh këtë hap edhe me emetimin ndërkombëtar të obligacioneve të njoftuar më herët nga grupi.
Ndërsa emetimi i obligacioneve synon të forcojë praninë e 4iG në tregjet ndërkombëtare të kreditit dhe të diversifikojë strukturën e financimit, hyrja në Nasdaq pritet t’i hapë kompanisë një kanal tjetër: tregun ndërkombëtar të kapitalit aksionar.
Sipas CEO-s së grupit, një listim i tillë mund të rrisë likuiditetin e aksioneve dhe të zgjerojë bazën e investitorëve institucionalë, me një fokus të veçantë te tregu amerikan.
Por përgatitja për hyrjen në një bursë amerikane do të sjellë edhe kërkesa më të larta për vetë kompaninë. Jászai thekson se procesi nënkupton përmbushjen e standardeve të larta në transparencë, raportim financiar, kontrolle të brendshme dhe qeverisje korporative.
Në kuadër të përgatitjeve, këshilltarë ligjorë amerikanë dhe kompani ndërkombëtare auditimi pritet të zhvillojnë një proces gjithëpërfshirës “due diligence” mbi aktivitetet e grupit.
Lëvizja drejt Nasdaq lidhet gjithashtu me transformimin që 4iG po synon nga një kompani me bazë të fortë në Hungari dhe rajon, drejt një grupi me shtrirje gjithnjë e më ndërkombëtare.
“Po e ndërtojmë 4iG si një grup gjithnjë e më ndërkombëtar, me pozicione në rritje në telekomunikacion, infrastrukturën digjitale, hapësirë dhe mbrojtje, si dhe energji. Prania jonë në tregjet e kapitalit duhet të evoluojë paralelisht me këtë ambicie”, deklaron Jászai.
Sipas tij, objektivi është që rritja e 4iG, pozicioni ndërkombëtar dhe potenciali për krijimin e vlerës në afat të gjatë të bëhen më të dukshme për tregjet globale të kapitalit, duke ndërtuar njëkohësisht marrëdhënie më të forta me investitorët institucionalë amerikanë dhe ndërkombëtarë.
Përgatitjet për Nasdaq marrin një rëndësi të veçantë edhe për tregun shqiptar, për shkak të pranisë së 4iG në sektorin e telekomunikacionit në Shqipëri. Grupi hungarez kontrollon aktivitetet që operojnë nën markën ONE Albania, duke e bërë zhvillimin e strategjisë financiare dhe ndërkombëtare të 4iG me interes të drejtpërdrejtë edhe për tregun vendas.
Në postimin e tij, Jászai e cilëson procesin si një nga sfidat më të mëdha të deritanishme për grupin, por njëkohësisht edhe si një nga mundësitë më të rëndësishme në fazën e ardhshme të zhvillimit të 4iG.
