Censi i Bujqësisë dhe Blegtorisë do të shtyhet sërish, në pamundësi për t’u realizuar edhe këtë vit. Ligji për Censusin bujqësor u miratua në korrik, pak përpara se Kuvendi të shkonte me pushime, duke lënë shumë pak kohë afat për përgatitjet teknike dhe organizative dhe duke mos alokuar as buxhet.
Procesi i regjistrimit të sektorit bujqësor dhe blegtoral nuk mund të realizohet brenda këtij viti, për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për përgatitjet.
Procesi, i cili synon të ofrojë një pasqyrë të plotë të gjendjes së bujqësisë dhe blegtorisë në vend, ishte parashikuar të niste në muajin tetor 2026, por është shtyrë sepse mungon buxheti.
Projektligji për “Censin e Bujqësisë” u miratua fillimisht më 3 qershor në qeveri.
Censi pritet të kushtojë 8.9 milionë euro dhe brenda 4 javësh INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri tek tufat e bagëtive.
Fotografimi i fundit që i është bërë sektorit bujqësor dhe blegtoral ka qenë në vitin 2012 dhe brenda kësaj periudhe sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me 18.7 mijë hektarë, ndërsa stallat e bagëtive janë rrudhur me 960 mijë krerë më pak.
