Projektligji që synon të përshpejtojë përfundimin e proceseve të pronësisë ka hapur debat në konsultimin publik, me qytetarë që kërkojnë ndryshime të tjera përpara miratimit. Legalizimet mbi tokën e të tretëve, detyrimet e akumuluara për truallin, pronat e bllokuara nga kufizimet e Kadastrës, dokumentet e humbura në arkiva dhe dosjet e pazgjidhura prej dekadash janë ndër çështjet kryesore të ngritura në komentet publike.
Vetë Ministria e Drejtësisë argumenton se ndryshimet synojnë të përshpejtojnë procedurat, të eliminojnë pengesat e konstatuara në praktikë dhe të rrisin sigurinë juridike. Por një pjesë e qytetarëve që kanë reaguar kërkojnë garanci shtesë, duke sjellë raste konkrete ku proceset e pronësisë kanë mbetur të pazgjidhura prej shumë vitesh.
Një nga shqetësimet lidhet me legalizimin e objekteve të ngritura mbi tokën e një pronari tjetër. Një qytetar, familja e të cilit ka aplikuar që në vitet 2005–2006, kundërshton kushtëzimin e legalizimit me pranimin paraprak të strehimit sipas normave për familjet e pastreha, në rast se nuk arrihet marrëveshje me pronarin ose investitorin. Sipas tij, kjo mund të dobësojë pozitën e familjes në negociata, pasi “minimumi i strehimit rrezikon të kthehet në tavanin praktik të kompensimit”. Ai kërkon që të merren parasysh edhe sipërfaqja e objektit, investimi i kryer dhe humbja e ambienteve të biznesit.
Një tjetër koment ngre një problem financiar për qytetarët që kanë ndërtuar me leje mbi truall shtetëror pas vitit 1991. Sipas tij, zbatimi i nenit 73 mund t’u kërkojë këtyre subjekteve pagesën e taksës së përdorimit të truallit për periudha që shkojnë mbi 30 vjet, edhe kur detyrimi nuk është faturuar ose njoftuar më parë. Në disa raste, pretendohet se shuma mund të kalojë disa herë vlerën e vetë truallit. Komentuesi vë në dukje kontrastin se “qytetari që ka ndërtuar me leje trajtohet më rëndë se qytetari që ka ndërtuar pa leje”, duke kërkuar lidhjen e këtyre detyrimeve me lehtësitë e parashikuara nga ligji nr. 86/2025.
Objekt tjetër shqetësimi janë banesat e ndërtuara përpara gushtit 1991 dhe afati i vitit 2028 për mbylljen e proceseve kalimtare. Një qytetar pretendon se, megjithëse aktet nënligjore parashikojnë mundësinë e një procedure të përshpejtuar, në praktikë kërkesat nuk pranohen. Ai citon përgjigjen që thotë se ka marrë nga drejtoria vendore në Durrës: “Nuk ekziston procedura e përshpejtuar”. Në të njëjtin koment ngrihet edhe shqetësimi se çfarë do të ndodhë me aplikimet ende të patrajtuara kur të afrohet afati përfundimtar i proceseve.
Shqetësimi mbetet edhe për qytetarët që kanë blerë prona me kontrata noteriale dhe i kanë regjistruar ato, por më pas janë përballur me kufizime administrative për shkak të parregullsive të titujve të mëparshëm ose hartografisë. Në një nga komentet kërkohet që ASHK-ja të detyrohet të japë një zgjidhje përfundimtare administrative dhe të mos lërë pasuritë të bllokuara për një kohë të pacaktuar. Sipas komentuesit, “mbajtja e pakufizuar në kohë e kufizimit” cenon sigurinë juridike të personave që e kanë fituar pronën në mirëbesim.
Një tjetër qytetar kërkon që ligji të marrë parasysh edhe datën kur është bërë kërkesa për legalizim, në rastet kur dokumenti i pronësisë së një personi tjetër mbi truallin është krijuar më vonë. Rasti i paraqitur lidhet me një aplikim për legalizim të bërë në vitin 2006, ndërsa dokumentacioni i pronësisë së të tretëve është krijuar ose regjistruar në vitin 2010. “Subjekti informal nuk duhet të penalizohet për një situatë juridike të krijuar pas paraqitjes së kërkesës”, thuhet në koment.
Dokumentet e humbura apo që nuk gjenden më në arkivat shtetërore përbëjnë një tjetër pengesë. Një qytetare tregon se ka kërkuar regjistrimin e një shtëpie të ndërtuar në vitin 1985, por procedura është bllokuar edhe për shkak se origjinali i AMTP-së nuk gjendet në arkiv. Ajo pretendon se ekzistojnë dokumente të tjera zyrtare që provojnë origjinën e pronës dhe kërkon që ligji t’i njohë ato si bazë për vijimin e procedurës. “Mungesa e dokumentit origjinal nuk duhet të jetë pengesë absolute”, kërkon ajo, kur vetë institucionet kanë prova të tjera për të drejtën e pronësisë.
Një problem tjetër prek pronarët e truallit që, edhe pse kanë lidhur kontrata me ndërtuesit, nuk kanë marrë ende certifikatat për apartamentet apo sipërfaqet që u takojnë. Në komentin e saj, një qytetare thotë se në disa raste kjo situatë vazhdon prej më shumë se dy dekadash, ndërsa pronari mbetet i varur nga veprimet e ndërtuesit ose nga procese të gjata gjyqësore. “Qëllimi i reformës nuk duhet të jetë vetëm mbyllja formale e dosjeve”, argumenton ajo, duke kërkuar që pronarëve t’u jepet mundësia të kërkojnë drejtpërdrejt në Kadastër regjistrimin e pjesëve që u takojnë kur kontrata dhe dokumentacioni teknik e provojnë qartë të drejtën.
I njëjti koment ngre shqetësim edhe për afatin e vitit 2028. Sipas propozimit, një kërkesë që mbështetet në të drejta të dokumentuara nuk duhet të mbyllet automatikisht vetëm sepse është arritur afati ligjor, pa u shqyrtuar më parë pretendimi i pronarit. Në të kundërt, vonesat e ndërtuesve ose të administratës mund të përkthehen në humbje të së drejtës për qytetarin që ka pritur prej vitesh.
Nga familjet në proces legalizimi, te pronarët e truallit, personat që kanë ndërtuar me leje apo qytetarët e bllokuar nga mungesa e dokumenteve në arkiva, kërkesa e përbashkët është që afatet dhe përshpejtimi i procedurave të mos sjellin humbjen e të drejtave ekzistuese. Konsultimi mbetet i hapur deri më 7 tetor, ndërsa pas përfundimit të tij do të shihet se cilat nga këto vërejtje do të reflektohen në versionin që do të vijojë procedurën e miratimit. /ekofin.al
