Themelues kompanish dhe investitorë u bëjnë thirrje politikëbërësve të BE-së që të mos e zbehin propozimin “EU Inc.”, i cili synon t’ua bëjë më të lehtë bizneseve në Europë të rriten dhe të zgjerohen.
Pesëdhjetë drejtues ekzekutivë dhe investitorë europianë u kanë kërkuar ligjvënësve të BE-së që të mos e “dobësojnë” ligjin “EU Inc.”, i cili aktualisht është në negociim në Bruksel, sipas një letre të përbashkët dërguar politikëbërësve të enjten.
Ligji synon ta bëjë më të lirë dhe më të lehtë për bizneset hapjen dhe ushtrimin e aktivitetit përtej kufijve të vendeve të BE-së dhe pritet të miratohet deri në fund të vitit.
Megjithatë, negociatat në Bruksel sugjerojnë se versioni përfundimtar mund të jetë më pak ambicioz nga sa kishin shpresuar shumë themelues startup-esh.
Ligji “EU Inc.” është një nga nismat legjislative që Bashkimi Europian po promovon për ta bërë Europën më konkurruese. Kompanitë europiane e kanë të vështirë të rriten dhe të zgjerohen për shkak të fragmentimit ligjor, i cili përkthehet në burokraci dhe kosto të larta administrative, duke krijuar një pengesë reale brenda tregut të përbashkët.
“Politikëbërësit duhet të sigurojnë që legjislacioni përfundimtar të krijojë një formë kompanie vërtet europiane, në vend që të shtojë një tjetër shtresë mbi 27 sistemet kombëtare”, argumentojnë nënshkruesit.
Në mesin e firmëtarëve janë edhe investitorë nga Index Ventures, Accel, Balderton, Atomico dhe EQT. Ata u kërkojnë politikëbërësve të vendosin “nëse EU Inc. do të bëhet motori ekonomik i Europës apo një strukturë ligjore aq e zbehur sa askush të mos e përdorë”.
Kërkesat
Nënshkruesit u kërkojnë politikëbërësve të ruajnë “zgjedhjen e lirë të selisë së regjistruar”, duke u lejuar themeluesve të zgjedhin vendin ku do të regjistrohet kompania pa qenë të detyruar që të zhvillojnë të gjitha operacionet në të njëjtin shtet.
Sipas tyre, e drejta për t’u regjistruar si “EU Inc.” nuk duhet të kufizohet vetëm për startup-et që konsiderohen “inovative”.
Megjithatë, mbështetësit e një kufizimi të tillë argumentojnë se hapja e skemës për të gjitha kompanitë mund ta mbingarkojë sistemin dhe të ulë efektivitetin e tij.
“EU Inc. ka nevojë për një regjistër të vetëm dhe autoritativ europian, jo thjesht për një ndërfaqe të vendosur mbi 27 sistemet kombëtare”, thuhet në kërkesat e nënshkruesve.
Sipas tyre, kjo do ta thjeshtonte ndjeshëm aksesin dhe konsultimin e të dhënave të kompanive.
Ata kërkojnë gjithashtu që punonjësit të tatohen për aksionet e kompanisë vetëm në momentin kur i shesin ato, ndërsa mbrojtja e punësimit të vazhdojë të lidhet me vendin ku punonjësi ushtron realisht aktivitetin./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
