Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, u bëri thirrje të shtunën kompanive të inteligjencës artificiale (AI) që të ngadalësojnë zhvillimin e kësaj teknologjie të fuqishme, ndërsa po shtohen shqetësimet për rreziqet që mund të sjellin sistemet kompjuterike “superinteligjente”.
Superinteligjenca është pika teorike në të cilën aftësitë e inteligjencës artificiale tejkalojnë inteligjencën njerëzore.
Komentet e tij erdhën vetëm pak ditë pasi studiuesi i AI-së, Jacob Coxon, i cili ishte larguar nga OpenAI për t’iu bashkuar Anthropic, vendosi të largohej tërësisht nga industria. Ai akuzoi të dyja kompanitë amerikane dhe aktorët e mëdhenj të sektorit se po “luajnë bixhoz me jetët tona” në garën për të zhvilluar modele të afta të vetëpërmirësohen.
“Duhet të ngadalësojmë ritmin me të cilin përmirësojmë aftësitë e modeleve të AI-së. Progresi do të vazhdojë të duket i shpejtë dhe ne duhet ta përdorim me mençuri kohën që fitojmë”, shkroi Amodei në një postim në faqen e tij personale.
“AI sjell rreziqe dhe, për shkak se është një teknologji kaq e fuqishme, këto rreziqe janë serioze.”
“Moszhvillimi i teknologjisë do ta privonte njerëzimin nga përfitimet ose thjesht do ta vendoste AI-në në duart e fuqive autoritare, ndërsa zhvillimi i saj tepër i shpejtë është i papërgjegjshëm. Ne kemi kërkuar një rrugë të mesme”, tha Amodei, i cili bashkëthemeloi Anthropic në vitin 2021 me motrën e tij, Daniela. Kompania ka zhvilluar modelin e inteligjencës artificiale Claude.
“Por gjatë muajve të fundit jam bindur se adresimi i plotë i rreziqeve kërkon edhe më shumë maturi”, shtoi drejtuesi i Anthropic.
Deklarata e Amodei i bën jehonë një thirrjeje tjetër të Anthropic në fillim të qershorit për të ngadalësuar ose pezulluar zhvillimin. Më pas, në fund të korrikut, Sam Altman, drejtuesi i rivalit të Anthropic, OpenAI – kompania që zhvillon ChatGPT – deklaroi se zhvilluesve mund t’u duhet të frenojnë vullnetarisht ritmin e përparimeve, për t’i dhënë shoqërisë mundësi të përshtatet.
Pothuajse në të njëjtën periudhë me deklaratën e qershorit, më shumë se 1,000 punonjës të kompanive që punojnë në kufijtë më të avancuar të AI-së, përfshirë vetë Amodei, nënshkruan një peticion ku i kërkonin qeverisë amerikane të ndihmonte në “përcaktimin e qëllimshëm të ritmit të zhvillimit të AI-së së automatizuar në kufijtë më të avancuar”.
OpenAI kishte zbuluar se gjatë testimeve, modelet e inteligjencës artificiale kishin dalë nga mjedisi i kufizuar ku po testoheshin, ishin lidhur me internetin dhe kishin depërtuar në Hugging Face, një platformë që zhvilluesit përdorin për të ruajtur dhe ndarë kod.
Në fillim të kësaj jave, 27-vjeçari Jacob Coxon ngriti alarmin pasi kishte kaluar tre vitet e fundit duke punuar në fazën e paratrajnimit të modeleve të AI-së, fillimisht në OpenAI dhe më pas, gjatë këtij viti, te rivali Anthropic, të cilin e konsideronte më të kujdesshëm në qasjen ndaj teknologjisë.
Paratrajnimi është faza gjatë së cilës modelet e inteligjencës artificiale përpunojnë sasi shumë të mëdha të dhënash të llojeve të ndryshme, nga fotografitë dhe videot deri te regjistrimet zanore. Këto të dhëna i ndihmojnë modelet të kuptojnë informacionin dhe më pas të jenë në gjendje të gjenerojnë imazhe apo t’u përgjigjen kërkesave të përdoruesve në platformat e komunikimit.
“Asnjëra prej kompanive nuk po vepron me përgjegjësi. Ato po garojnë drejtpërdrejt drejt një superinteligjence që vetëpërmirësohet dhe po luajnë bixhoz me jetët tona”, shkroi Coxon në një seri postimesh në X të martën.
“Njerëzit që po ndërtojnë AI-në besojnë sinqerisht se ajo mund të na vrasë të gjithëve deri në fund të kësaj dekade”, shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
