Shqipëria ishte ndër vendet evropiane që regjistruan rritje të fortë të trafikut ajror gjatë verës 2026, në një sezon kur kriza në Lindjen e Mesme ndikoi në mënyrë të pabarabartë në shpërndarjen e fluturimeve në Evropë.
Të dhënat e reja të Eurocontrol, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se, ndërsa trafiku ra në disa tregje të Evropës Juglindore, Shqipëria ishte pjesë e grupit të vendeve ku numri i fluturimeve u rrit ndjeshëm.
Sipas Eurocontrol, ndikimi i krizës në Lindjen e Mesme u reflektua në më pak trafik ajror në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Turqi, ndërsa rritje e fortë u regjistrua në Shqipëri, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Slloveni. Kjo tendencë ishte shfaqur që në javët e para të qershorit dhe vijoi gjatë sezonit veror.
Në të gjithë rrjetin evropian, gjatë periudhës 1 qershor–31 gusht 2026 u regjistruan mesatarisht 35,959 fluturime në ditë, ose 2.4% më shumë se në verën e vitit 2025. Më 10 korrik u arrit edhe niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në rrjetin europian, me 37,640 fluturime në një ditë. Në total, gjatë verës u vendosën 66 rekorde ditore të trafikut nga kompani ajrore, aeroporte, qendra të kontrollit ajror dhe shtete.
Rritja e trafikut nuk solli një përkeqësim të përgjithshëm të performancës së rrjetit. Vonesat e lidhura me menaxhimin e fluksit të trafikut ajror ranë me 17%, në 3.27 minuta për fluturim, ndërsa 72.6% e fluturimeve mbërritën në kohë, një përmirësim prej 1.2 pikësh përqindjeje krahasuar me verën e kaluar. Megjithatë, rreth 681 mijë fluturime, ose 21% e totalit, u prekën nga kufizimet e menaxhimit të trafikut.
Rritja e evidentuar për Shqipërinë vjen në një periudhë kur trafiku ajror drejt vendit është zgjeruar me ritme të shpejta. Edhe gjatë verës së vitit 2025, Eurocontrol e kishte përfshirë Shqipërinë mes tregjeve të Evropës Juglindore që kishin regjistruar rritje mbi 5% të trafikut ajror krahasuar me një vit më parë./ekofin.al

