Zyrtarët e prokurimeve të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) kanë marrë pjesë në një program trajnimi të Akademisë së të Drejtës Evropiane (ERA), në Trier të Gjermanisë, me fokus kuadrin ligjor dhe praktikat e Bashkimit Evropian në fushën e prokurimit publik.
“Kursi për ligjin e prokurimit publik evropian” synoi thellimin e njohurive të pjesëmarrësve mbi parimet që udhëheqin prokurimet në BE, si dhe mbi zbatimin në praktikë të legjislacionit evropian.
Programi përfshiu trajtimin e kritereve të përzgjedhjes dhe vlerësimit të operatorëve ekonomikë, procedurave të ndryshme të prokurimit, koncesioneve dhe formave të ankimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu prokurimit strategjik dhe jurisprudencës evropiane që lidhet me këtë fushë.
Trajnimi merr rëndësi edhe në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit dhe praktikave shqiptare të prokurimit publik me standardet e Bashkimit Evropian. Prokurimet publike përbëjnë një nga fushat ku kërkohet jo vetëm harmonizimi i kuadrit ligjor, por edhe forcimi i kapaciteteve të administratës për zbatimin e tij.
Pjesë e programit ishte edhe një vizitë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian, në Luksemburg. Zyrtarët e OBP-së patën mundësinë të njiheshin nga afër me rolin e kësaj gjykate në interpretimin dhe zbatimin uniform të së drejtës së Bashkimit Evropian, përfshirë çështjet që lidhen me prokurimet publike.
Praktika gjyqësore evropiane ka një rol të rëndësishëm në përcaktimin e mënyrës se si interpretohen parimet e konkurrencës, transparencës, trajtimit të barabartë dhe proporcionalitetit në procedurat e prokurimit.
Pjesëmarrja në këtë program kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit dhe në përafrimin e mëtejshëm të praktikave të prokurimit publik në Shqipëri me standardet evropiane.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvillon procedura të centralizuara prokurimi për nevojat e institucioneve publike, duke e bërë forcimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të prokurimit një element të rëndësishëm për rritjen e eficiencës, konkurrencës dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.


