Këtë 14 shtator, kur mijëra fëmijë rikthehen në bankat e shkollës, për shumë familje nis edhe një tjetër llogari: çfarë do të bëjë fëmija pas përfundimit të orarit mësimor? Për prindërit që punojnë, sidomos ata me fëmijë të vegjël, përgjigjja prej vitesh ka qenë “after school”, një shërbim që tashmë është kthyer në treg më vete dhe që këtë vit përballet për herë të parë me një alternativë të re publike, programin “Pas Shkolle”.
Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) tregojnë se numri i qendrave “after school” të regjistruara në Shqipëri është rritur ndjeshëm, sidomos vitet e fundit. Nga 58 qendra deri në vitin 2021, numri ka arritur në 138 deri në korrik 2026.
Bëhet fjalë për një rritje prej 80 qendrash, ose rreth 138% në pesë vjet.
Por shifra kombëtare fsheh një tjetër realitet: Tirana dominon thuajse tërësisht këtë treg.
Në kryeqytet numri i qendrave është rritur nga 51 në vitin 2021 në 115 në korrik 2026. Kjo do të thotë se Tirana ka shtuar 64 qendra në pesë vjet dhe sot përbën rreth 83% të të gjitha qendrave të regjistruara në të dhënat e QKB.
Në qarqet e tjera, tregu është shumë më i vogël. Fieri ka kaluar nga asnjë qendër në 2021 në 5 në 2026, Shkodra nga 2 në 5, Durrësi nga 0 në 3, Elbasani nga 2 në 3 dhe Vlora nga 1 në 3. Berati dhe Lezha kanë nga 2 qendra.
Pra, “after school” është tashmë një treg i konsoliduar në Shqipëri, por nuk është një treg i shpërndarë në mënyrë të barabartë në territor. Por një tjetër problem haset me faktin që numri i qendrave që ofrojnë asistencë në nxënien e fëmijëve apo në zhvillimin e talenteve, ka edhe një tjetër medalje. Në platformat online duket në çdo fillim sezoni një “sulm” sponsorizimesh e reklamash, por që platforma META nuk e nxjerr si të dhënë për territorin shqiptar.
Një kosto tjetër mbi buxhetin familjar
Pas shifrave të biznesit qëndron një kosto konkrete për familjet.
Sipas përllogaritjes së Prof. Asoc. Dr. Ndriçim Mehmetit, shpenzimi për një fëmijë në një qendër pas shkolle mund të shkojë në rreth 150 mijë lekë gjatë vitit shkollor, ndërsa, në varësi të kohëzgjatjes dhe shërbimeve, kostoja mund të rritet më tej; transporti është një tjetër shpenzim që i shtohet faturës.

Kostoja nuk kufizohet vetëm te qëndrimi pas mësimit. Paketat private mund të përfshijnë ushqimin, ndihmën me detyrat, gjuhët e huaja, artin, sportin, teknologjinë apo aktivitete të tjera.
Sociologia Marsi Simo e vendos këtë shpenzim në kontekstin e buxhetit të familjes. Sipas saj, prindërit që përdorin qendrat private nuk janë domosdoshmërisht familje me të ardhura të larta. Bëhet fjalë edhe për familje me të ardhura mesatare që përpiqen ta përballojnë këtë kosto, krahas shpenzimeve të tjera të fëmijës dhe kërkesave të shkollës.
Simo thekson se nga bisedat me prindërit ka kuptuar se “after school” shihet si një kosto më vete, përtej shpenzimeve të zakonshme të shkollës, veshjeve, kurseve dhe aktiviteteve të argëtimit.
Kjo e bën hyrjen e shtetit në këtë treg veçanërisht të rëndësishme: nëse programi publik funksionon, ai mund të ulë një barrë që prej vitesh përballohet drejtpërdrejt nga prindërit.

408 shkolla përballë 138 qendrave private
Programi publik “Pas Shkolle” vjen këtë vit me një shtrirje në 408 shkolla, me synimin që koha pas mësimit të përdoret për përforcimin e të nxënit dhe zhvillimin e aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese. Vendimi i qeverisë përcakton se programi zhvillohet jashtë orarit të detyrueshëm mësimor dhe përfshin nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm të lartë në institucionet publike.
Për trajnuesit, programi ka përcaktuar edhe mënyrën e përzgjedhjes dhe shpërblimit. Pagesa për një orë të zhvilluar jashtë orarit të detyrueshëm është 1,000 lekë, ndërsa financimi i programit bëhet nga fondi buxhetor i miratuar për këtë qëllim.
Por 408 shkollat publike dhe 138 qendrat private nuk janë drejtpërdrejt dy kategori që mund të krahasohen një për një. Qendrat private janë subjekte ekonomike, ndërsa “Pas Shkolle” është program publik brenda sistemit arsimor. Ajo që i bashkon është e njëjta nevojë familjare: çfarë ndodh me fëmijën pasi përfundon mësimi i detyrueshëm?
Simo: Është një nevojë reale e familjeve
Për Marsi Simon, pyetja nuk është nëse Shqipërisë i duhet “after school”. Sipas saj, kjo nevojë është krijuar prej vitesh.
Orari i përfundimit të mësimit, veçanërisht në arsimin fillor, krijon një boshllëk të konsiderueshëm për familjet ku prindërit janë në punë. Për fëmijët e vegjël, ky nuk është vetëm problem organizimi, por edhe çështje sigurie dhe kujdesi.
Simo e sheh pozitivisht faktin që shkolla mund të mos jetë më vetëm vendi ku fëmija merr mësimin akademik, por edhe një hapësirë ku ai luan, merret me sport, zhvillon aftësi krijuese dhe sociale.
Por ajo nuk e konsideron programin e ri të përfunduar. Përkundrazi, sipas saj, eksperienca e provuar në disa shkolla gjatë muajit maj ishte ende bazike dhe do të duhet kohë për të parë se si do të funksionojë realisht në vitin e ri shkollor.
Mehmeti: Rreziku është që shkolla të bëhet thjesht “vend parkimi”
Për Ndriçim Mehmetin, problemi kryesor i qendrave private nuk është vetëm kostoja, por mungesa e një garancie të qartë se qëndrimi pas shkolle përkthehet në përmirësim të të nxënit.
Ai ngre pikëpyetje mbi kontrollin e cilësisë së mësimdhënies dhe argumenton se mund të ketë raste kur vëmendja përqendrohet te siguria, ushqimi dhe kushtet fizike, ndërsa më pak te cilësia pedagogjike. Në këtë këndvështrim, rreziku është që “after school” të perceptohet thjesht si një mënyrë për ta mbajtur fëmijën të sigurt deri në përfundimin e orarit të punës së prindit.
Për programin publik, Mehmeti është edhe më skeptik. Ai e lidh “Pas Shkolle” me një seri iniciativash të mëparshme dhe argumenton se ato kanë vuajtur nga mungesa e studimeve, infrastrukturës dhe burimeve njerëzore. Sipas tij, edhe programi aktual ka ende pikëpyetje për kohëzgjatjen, ushqimin, aktivitetet dhe përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Prindërit mes kostos dhe cilësisë
Përballë kësaj situate, familjet hyjnë në vitin e ri shkollor me një zgjedhje që është njëkohësisht ekonomike dhe edukative.
Një qendër private mund të ofrojë orar më të gjatë, transport, ushqim dhe një paketë më të gjerë aktivitetesh, por me një kosto që përballohet nga familja. Programi publik mund të reduktojë ose shmangë këtë barrë financiare, por suksesi i tij do të varet nga infrastruktura, stafi, aktivitetet dhe mënyra se si zbatohet në praktikë.
Sipas Simos, një pjesë e prindërve janë shprehur të kënaqur pikërisht sepse programi publik mund t’u heqë një barrë financiare dhe transporti. Por një pjesë tjetër vijojnë të preferojnë qendrat private, sepse presin prej tyre një shërbim më të plotë.
Dhe këtu qëndron edhe dilema e 14 shtatorit: a do të jetë shkolla publike në gjendje të zëvendësojë një pjesë të shërbimit që familjet kanë paguar prej vitesh?
Nga 58 në 138 qendra: tregu që shteti po përpiqet ta “kapë”
Shifrat e QKB tregojnë qartë se nevoja për shërbimin ka ekzistuar dhe është shndërruar në një treg në rritje. Nga 58 qendra në vitin 2021, Shqipëria ka arritur në 138 deri në korrik 2026. Rritja është veçanërisht e fortë në Tiranë, ku numri ka kaluar nga 51 në 115.
Por këto shifra duhet të lexohen edhe me një kufizim: regjistrimi formal nuk është domosdoshmërisht një hartë e plotë e të gjithë ofertës “after school”. Aktivitetet mund të regjistrohen me përshkrime të ndryshme në regjistrat e biznesit, ndërsa në treg të njihen me emrin “after school”. Për këtë arsye, numri i qendrave të identifikuara në QKB nuk duhet trajtuar automatikisht si numri absolut i çdo subjekti që ofron këtë shërbim.
Megjithatë, trendi është i qartë: tregu privat është rritur fort dhe shteti po hyn në një hapësirë që familjet e kanë mbuluar prej vitesh me pagesat e tyre.
Këtë 14 shtator nis viti i ri shkollor. Për shumë prindër, bashkë me çantën, librat dhe uniformën, nis edhe llogaria se ku do të jetë fëmija pas mësimit, sa do të kushtojë dhe çfarë do të marrë në këmbim.
Këtë vit, për herë të parë në një shkallë më të gjerë, një pjesë e kësaj përgjigjeje do të kërkohet brenda vetë shkollës. Sfida nuk është vetëm që programi “Pas Shkolle” të ekzistojë në 408 shkolla, por që ai të jetë aq funksional dhe cilësor sa prindi të mos e shohë më si një zgjidhje të përkohshme, por si një alternativë reale ndaj një tregu privat që tashmë ka arritur në 138 qendra të regjistruara./ekofin.al
