Rrjetet informale të transferimit të parave po ndryshojnë me shpejtësi, duke kombinuar cash-in tradicional me kriptoasete, platforma fintech, aplikacione të koduara dhe, në disa raste, edhe mjete të automatizuara të bazuara në inteligjencën artificiale.
Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e cilëson transformimin dixhital si një nga zhvillimet më të rëndësishme në pastrimin profesional të parave. Rreth 70% e juridiksioneve të anketuara raportojnë integrimin e teknologjive të reja, duke u zhvendosur drejt asaj që përshkruhet si “digital hawala”. Raporti thekson se digjitalizimi rrit shpejtësinë dhe shtrirjen ndërkufitare, ndërsa e bën më të vështirë rindërtimin e zinxhirit të transaksioneve.
Në format më të thjeshta, operatorët vazhdojnë të shkëmbejnë cash, por përdorin WhatsApp, Telegram, Signal dhe regjistra digjitalë për të dhënë instruksione, për të komunikuar me klientët dhe për të koordinuar korrierët. Në skemat më të avancuara, pagesat kalojnë përmes portofolëve elektronikë, fintech-ut, llogarive bankare dhe aseteve virtuale.
FATF përmend posaçërisht stablecoin-et USDT, USDC dhe DAI, që mund të përdoren për të kompensuar detyrimet mes operatorëve. Paratë mblidhen në monedhë tradicionale, konvertohen në kripto, kalojnë nga një portofol në tjetrin dhe më pas mund të rikthehen në cash ose në forma të tjera vlere.
Raporti sjell rastin e Turqisë, ku autoritetet kanë konstatuar një zhvendosje nga hawala tradicionale me cash drejt modeleve që përdorin sidomos USDT. Në këto struktura përdoren njëherësh ofrues të aseteve virtuale, ndërmjetës OTC, institucione pagesash, llogari bankare dhe llogari të personave të tretë.
Edhe inteligjenca artificiale ka hyrë në këtë territor. Sipas FATF, disa juridiksione kanë raportuar përdorimin e mjeteve AI për strukturimin automatik të transaksioneve, shpërndarjen e parave mes llogarive të ndërmjetme dhe krijimin e modeleve të pagesave që synojnë të duken si aktivitet normal. /ekofin.al

