Ndërtimi dhe punët publike, hoteleria dhe restorantet, tregtia e automjeteve dhe bizneset e import-eksportit janë mes aktiviteteve ekonomike që FATF veçon si potencialisht më të ekspozuara ndaj përdorimit të bankimit informal dhe skemave profesionale të pastrimit të parave.
Në raportin e shtatorit 2026, Task – Forca e Veprimit Financiar (FATF) rekomandon që vlerësimet kombëtare të mos kufizohen vetëm te bankat apo kompanitë tradicionale të transfertave të parave, por të analizojnë edhe sektorë të ekonomisë reale ku mënyra e funksionimit mund të krijojë hapësira për fshehjen dhe qarkullimin e fondeve.
Mes aktiviteteve me vulnerabilitet të shtuar FATF përmend ndërtimin dhe punët publike, sigurinë private, hotelerinë dhe restorantet, tregtinë e automjeteve, import-eksportin dhe sektorët e lidhur me tregtinë, shërbimet informale ose me përdorim të lartë të cash-it, si dhe, në disa rajone, shërbimet ICT dhe aktivitetet online.
Raporti sqaron se ky klasifikim nuk do të thotë se këta sektorë janë në vetvete të përfshirë në veprimtari kriminale. Qëllimi është identifikimi i aktiviteteve që, për shkak të cash-it, tregtisë ndërkufitare, strukturave komplekse të pagesave apo ndërmjetësimit, mund të kërkojnë kontroll më të fokusuar.
FATF kërkon që autoritetet të identifikojnë jo vetëm sektorët, por edhe qytetet, zonat kufitare, korridoret tregtare dhe aktivitetet ku shfaqen më shpesh këto risqe, në mënyrë që kontrollet dhe hetimet të orientohen aty ku ekspozimi është më i madh. /ekofin.al
