Shqipëria duhet të përqendrojë politikat industriale në shtatë sektorë ku tashmë ka prodhim, punësim ose avantazh eksportues, në vend që të synojë industri të teknologjisë së lartë për të cilat ende nuk ka kapacitetet e nevojshme. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) identifikon potencial më realist te ushqimet dhe pijet, tekstilet, veshjet, lëkurën dhe këpucët, produktet e drurit, metalet bazë dhe mobiliet për zhvillimin e industrisë shqiptare.
Përzgjedhja nuk bazohet në të njëjtin kriter për të gjithë. Ushqimet dhe pijet shihen si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vlerës së shtuar; veshjet dhe industria e lëkurës e këpucëve për potencialin e punësimit; metalet bazë për potencialin eksportues; ndërsa tekstilet, produktet e drurit dhe mobiliet për avantazhin e tyre krahasues në zhvillim.
Ushqimet dhe pijet marrin një peshë të veçantë. Sektori përbën tashmë rreth 20% të prodhimit industrial, por UNIDO vlerëson se kërkesa e nxitur nga turizmi për produkte tradicionale shqiptare është më e madhe se kapaciteti aktual i ofertës. Raporti veçon si produkte me potencial vajin e ullirit, produktet e peshkimit, mjaltin, gështenjat dhe djathërat vendas, por nënvizon se zhvillimi pengohet nga fragmentimi i tokës, sipërfaqet bujqësore të pashfrytëzuara dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Veshjet dhe këpucët mbeten ndër sektorët më të rëndësishëm për punësimin dhe eksportet, por modeli aktual ka kufizime të forta. Në 2023, veshjet punësonin rreth 25% të fuqisë punëtore në prodhim dhe lëkura e këpucët 20%, ndërsa ushqimet rreth 15%. UNIDO kërkon që veshjet të kalojnë gradualisht nga modeli fason, ku kompania shqiptare kryen vetëm faza të ndërmjetme për marka të huaja, drejt “full-package production”, duke përfshirë dizajnin, zhvillimin e produktit dhe markën. Për lëkurën kërkohet më shumë përpunim vendas dhe modernizim i impianteve me teknologji më miqësore me mjedisin.
Metalet bazë përzgjidhen për potencialin e eksportit. Shqipëria ka rezerva të kromit, bakrit, nikelit dhe hekur-nikelit, ndërsa ferro-kromi ka kapacitete ekzistuese përpunimi, kryesisht në Elbasan. Megjithatë, raporti thotë se një pjesë e mineraleve vazhdojnë të eksportohen në formë të papërpunuar edhe kur ekzistojnë kapacitete vendase, duke humbur mundësinë për të krijuar më shumë vlerë brenda vendit. UNIDO kërkon më shumë përpunim të mëtejshëm dhe investime në teknologji për uljen e emetimeve.
Mobiliet dhe druri janë një tjetër mundësi që lidhet drejtpërdrejt me bumin e turizmit dhe ndërtimit. Eksportet e mobilieve u rritën 23.10% në periudhën 2020–2024, ndërsa produktet e drurit kanë një avantazh krahasues të evidentuar nga raporti. Sipas UNIDO-s, rritja e hoteleve dhe e ndërtimeve po krijon kërkesë që mund të plotësohet më shumë me prodhim vendas në vend të importeve. Pengesë mbetet furnizimi me lëndë drusore, pasi kufizimet mbi shfrytëzimin tregtar të pyjeve rrisin varësinë nga inputet e importuara.
UNIDO e quan këtë një qasje pragmatike: shumë prej shtatë sektorëve nuk janë industri me teknologji të lartë, por janë fusha ku Shqipëria tashmë ka njohuri, kapacitete prodhuese dhe treg. Mbështetja e tyre shihet si mënyrë për të frenuar deindustrializimin, stabilizuar punësimin dhe vlerën e shtuar, përpara se ekonomia të kalojë gradualisht drejt aktiviteteve më të sofistikuara teknologjikisht.
Në rekomandimet konkrete, raporti propozon rritjen e produktivitetit bujqësor dhe markave me tregues gjeografikë për agro-përpunimin; kalimin nga fasoneria në prodhim të plotë; përpunim më të thellë të metaleve; menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve; si dhe zhvillimin e dizajnit, markave dhe klasterëve për mobiliet. Certifikimi, financimi i SME-ve, aftësitë dhe ekonomia qarkulluese konsiderohen kushtet e përbashkëta që duhet të mbështesin të shtatë sektorët./ekofin.al

