Pasagjerët që nisen nga aeroporti i Luksemburgut do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa ndalesa, për herë të parë.
Fluturimet e para direkte që do të lidhin Dukatin e Madh të Luksemburgut me kryeqytetin shqiptar do të nisin më 29 mars 2027 dhe do të operohen dy herë në javë, çdo të hënë dhe të premte.
Me çmime që nisin nga 129 euro për person, pasagjerët e Luxair do të kenë mundësinë të vizitojnë Tiranën, e cila ndodhet pak më shumë se dy orë fluturim larg Luksemburgut.
Ndërsa Shqipëria në tërësi po bëhet gjithnjë e më e preferuar nga turistët, kjo linjë pritet t’i shërbejë në mënyrë të veçantë komunitetit shqiptar në Luksemburg dhe në Rajonin e Madh, deklaroi Thomas Fischer, Drejtor Tregtar i Luxair.
Sipas kompanisë, Shqipëria u identifikua në studimin e tregut për vitin 2026 si një nga tregjet ende të pashfrytëzuara me potencialin më të madh.
“Lançimi i linjës për Tiranën përbën një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e rrjetit të Luxair”, tha Fischer.
Me destinacionin e ri, Luxair synon t’u ofrojë pasagjerëve akses në atë që kompania e cilëson si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Europë.
Fluturimet për pranverën e vitit 2027 mund të rezervohen në faqen e Luxair duke nisur nga 10 shtatori 2026.
