Tregu i punës në Shqipëri ka dhënë sinjale të përziera gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Papunësia ka vijuar rënien, ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës është rritur lehtë. Megjithatë, pas shifrave të përgjithshme dallohen dy zhvillime që mbeten problematike: papunësia e lartë te të rinjtë dhe tkurrja e punësimit në bujqësi.
Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, publikuar nga INSTAT, shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8.3% në tremujorin e dytë 2026, nga 8.6% që rezultonte një vit më parë. Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, rënia ishte me 0.1 pikë përqindje.
Ndërkohë, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart ishte 58.3%. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, treguesi është 0.1 pikë përqindje më i ulët, por kundrejt tremujorit të parë 2026 është rritur me 0.3 pikë përqindje. Pjesëmarrja në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 76.3%, duke u rritur me 0.1 pikë përqindje si në raport vjetor, ashtu edhe tremujor.
Në terma të numrit të personave, INSTAT vlerëson se në tremujorin e dytë të vitit 2026 kishte rreth 1.16 milionë persona të punësuar dhe rreth 104.6 mijë të papunë. INSTAT sqaron se këto janë vlerësime të dala nga anketa dhe jo shifra administrative ekzakte.
Një pamje më problematike shfaqet kur tregu ndahet sipas sektorëve. Punësimi në bujqësi ra me 5.9% në krahasim me një vit më parë, rënia më e fortë ndër grupet kryesore të aktiviteteve. Edhe industria regjistroi tkurrje vjetore prej 3.9%, ndërsa shërbimet ecën në drejtim të kundërt, me një rritje të punësimit prej 4.2%. Në total, punësimi rezultoi 0.9% më i ulët se një vit më parë.
Në krahasim me tremujorin e parë 2026, situata paraqitet më pozitive: punësimi total u rrit me 0.6%, ndërsa shërbimet shënuan rritje prej 1.8%. Bujqësia dhe industria vijuan të humbnin terren, përkatësisht me 0.3% dhe 0.9%.
Të dhënat sipas grupmoshave nxjerrin në pah një tjetër problem strukturor të tregut shqiptar të punës. Sipas grafikëve të INSTAT në faqen e dytë të raportit, shkalla e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç arriti në 17.7%, nga 15.7% në tremujorin e dytë 2025 dhe 16.9% në tremujorin e parë 2026.
Pra, ndërsa papunësia e përgjithshme ka rënë, te të rinjtë tendenca ka qenë e kundërt. Brenda një viti, shkalla e papunësisë për këtë grup është rritur me 2 pikë përqindje.
Në të njëjtën kohë, shkalla e punësimit për moshat 15-29 vjeç rezultoi 43.6%, pak më e ulët se 43.7% një vit më parë, megjithëse në përmirësim nga 42.8% në tremujorin e parë. Pjesëmarrja e të rinjve në forcat e punës u rrit në 53%, nga 51.5% një vit më parë.
Për grupmoshën 30-64 vjeç situata është dukshëm më e favorshme. Shkalla e punësimit arriti në 78.5%, ndërsa papunësia zbriti në 7.4%, nga 8.1% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo e çon diferencën e papunësisë mes të rinjve dhe grupmoshës 30-64 vjeç në më shumë se 10 pikë përqindje.
Edhe hendeku gjinor vazhdon të jetë i konsiderueshëm. Në tremujorin e dytë, pjesëmarrja në forcat e punës ishte 57% për gratë dhe 70.4% për burrat, ndërsa shkalla e punësimit ishte përkatësisht 51.8% dhe 65.1%. Papunësia rezultoi 9% për gratë dhe 7.6% për burrat.
Rezultatet e tremujorit të dytë tregojnë kështu një treg pune ku ulja e papunësisë së përgjithshme bashkëjeton me dobësi të rëndësishme strukturore. Shërbimet po mbajnë peshën kryesore të rritjes së punësimit, ndërsa bujqësia dhe industria kanë humbur të punësuar në raport me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, niveli prej 17.7% i papunësisë së të rinjve mbetet më shumë se dyfishi i normës së përgjithshme.
INSTAT sqaron se Anketa Tremujore e Forcave të Punës për tremujorin e dytë 2026 është bazuar në një kampion prej 7,900 familjesh, duke përdorur të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023. Shkalla e përgjigjes ishte 83.9%, ndërsa metodologjia është e harmonizuar me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Eurostat. /ekofin.al
