Zhvilluesi amerikan i gazit natyror të lëngshëm, Argent LNG, njoftoi se ka nënshkruar me qeverinë shqiptare një memorandum mirëkuptimi jo detyrues për të vlerësuar mundësinë e zhvillimit të një terminali tokësor për depozitimin dhe rigazifikimin e LNG-së, me një kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.
Sipas kompanisë, terminali mund të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), me projektin e propozuar të Gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP), si edhe me korridorin e gazit Fier-Vlorë, duke krijuar mundësinë e integrimit të tij me infrastrukturën rajonale të transmetimit të gazit.
Argent LNG bëri të ditur gjithashtu se financimi i projektit mund të përfshijë institucione amerikane, përfshirë Agjencinë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) dhe Bankën e Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM Bank).
Terminali i propozuar do të projektohej për të furnizuar tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. Sipas Argent LNG, projekti mund të mbështesë gjithashtu furnizimin e Ukrainës përmes marrëveshjeve të tregut rajonal të gazit.
Megjithatë, projekti ndodhet ende në një fazë të hershme. Kompania nuk ka dhënë një vlerësim për koston e investimit, nuk ka bërë publike një vendndodhje të propozuar për terminalin dhe nuk ka përcaktuar një afat për ndërtimin e tij në Shqipëri.
Marrëveshja me qeverinë shqiptare vjen pas memorandumeve të tjera të mirëkuptimit të njoftuara më parë nga Argent LNG. Kompania nënshkroi një marrëveshje me grupin ukrainas Naftogaz në korrik 2026 dhe një tjetër me operatorin rumun Transgaz në gusht.
Po në korrik, Departamenti Amerikan i Energjisë autorizoi Argent LNG që të eksportojë gaz natyror të lëngshëm nga terminali i propozuar i kompanisë në Port Fourchon, Luiziana, drejt vendeve që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. /Përshtati nga Reuters, ekofin.al
