Rinovimi i ndërtesave pritet të jetë një nga burimet më të mëdha të punësimit nga tranzicioni energjetik në Shqipëri.
Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës vlerëson se masat për eficiencën e energjisë në ndërtesa mund të krijojnë 3,500 deri në 12,000 vende pune me kohë të plotë (nga viti 2019) deri në vitin 2030. Paralelisht, zgjerimi i energjisë diellore dhe asaj të erës në skenarin me masa shtesë projektohet të lidhet me rreth 3,220 vende pune deri në vitin 2030.
PKEK sqaron se bëhet fjalë për efekte bruto, pa marrë plotësisht në konsideratë kufizime si mungesa e fuqisë punëtore.
Efekti më i madh parashikohet nga rinovimi i ndërtesave. PKEK vlerëson se pjesa më e madhe e vendeve të punës do të krijohet në ndërtim dhe prodhim, si rezultat i investimeve që kërkohen për uljen e konsumit të energjisë. Ndërsa ndërtesat publike përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të stokut të përgjithshëm, dokumenti vlerëson se pjesa kryesore e rritjes së punësimit do të vijë nga zbatimi i standardeve të performancës së energjisë dhe nga rinovimi i ndërtesave rezidenciale.
Në praktikë, këto ndërhyrje mund të krijojnë kërkesë për një gamë të gjerë profesionesh. PKEK përfshin në masat energjetike izolimin e ndërtesave dhe dritaret me eficiencë të lartë, ndërsa në projektet konkrete përmenden edhe zëvendësimi i ndriçimit me LED, sistemet e ngrohjes dhe instalimi i paneleve fotovoltaike.
Një tjetër burim punësimi pritet të jetë zgjerimi i prodhimit të energjisë nga dielli dhe era. Në skenarin WAM, që përfshin masat shtesë të parashikuara nga PKEK, kapacitetet fotovoltaike shtohen me 817 MW deri në vitin 2030, ndërsa kapacitetet e erës me 520 MW.
Vetëm sektori fotovoltaik vlerësohet të krijojë 1,340 vende pune në instalim dhe 1,340 në operim dhe mirëmbajtje, pra 2,680 vende pune. Për impiantet e erës projektohen rreth 540 vende pune.
Kontrasti me skenarin ku vazhdojnë vetëm politikat ekzistuese është i madh. Në skenarin WEM, deri në vitin 2030 do të shtoheshin vetëm rreth 113 MW kapacitete fotovoltaike, të cilat lidhen me rreth 370 vende pune në instalim, operim dhe mirëmbajtje. Për energjinë e erës, vlerësimi është rreth 230 vende pune.
Kjo do të thotë se diferenca në tregun e punës nuk varet vetëm nga rritja ekonomike, por edhe nga fakti nëse masat shtesë të tranzicionit energjetik realizohen. Në rastin e fotovoltaikëve, për shembull, skenari me masa shtesë projekton mbi shtatë herë më shumë kapacitet të ri se skenari me politikat ekzistuese, 817 MW kundrejt 113 MW, dhe një efekt dukshëm më të madh në punësim.
PKEK nënvizon gjithashtu një kufizim të rëndësishëm për industrinë vendase: pajisjet e impianteve të energjisë së rinovueshme nuk parashikohet të prodhohen në Shqipëri. Për këtë arsye, përfitimi kryesor për punësimin vendas lidhet me ndërtimin dhe instalimin e impianteve dhe më pas me operimin dhe mirëmbajtjen e tyre, jo me prodhimin industrial të vetë teknologjisë.
Në këtë kuptim, tranzicioni energjetik hap dy tregje të mëdha pune: nga njëra anë rinovimin e stokut ekzistues të banesave dhe ndërtesave publike, ku potenciali vlerësohet deri në 12 mijë vende pune, dhe nga ana tjetër zgjerimin e kapaciteteve diellore dhe të erës, ku skenari me masa shtesë projekton mbi 3,200 vende pune. Realizimi i këtij potenciali, megjithatë, do të varet nga investimet që kryhen realisht dhe nga disponueshmëria e punëtorëve dhe profesionistëve të kualifikuar./ekofin.al
