Komisioni Evropian prezantoi të mërkurën një propozim legjislativ që u lejon autoriteteve publike të BE-së të favorizojnë kompanitë Evropiane në tenderët për shërbime publike kyçe, si energjia, uji, hekurudhat, portet, aeroportet dhe shërbimet postare.
Masa vjen në një kohë kur politikëbërësit Evropianë po përpiqen të mbrojnë tregun e bllokut nga Kina, në mes të negociatave të tensionuara tregtare, ndërsa BE-ja përballet me një deficit tregtar me Pekinin prej rreth 1 miliard euro në ditë.
Tregu i prokurimeve publike në Europë arrin në 2 trilionë euro në vit, ose rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Europës.
“Paratë publike duhet t’u shërbejnë interesave tona të përbashkëta”, deklaroi të mërkurën zëvendëspresidenti i Komisionit, Stéphane Séjourné. “Një autoritet publik do të mund të organizojë preferencën e tij Evropiane dhe të përjashtojë operatorët që vijnë nga vende me të cilat nuk kemi marrëveshje për tregjet publike, si mbi bazën e kombësisë së kompanisë, ashtu edhe mbi bazën e origjinës së produkteve.”
Sipas propozimit të Komisionit, autoritetet publike të BE-së do të kenë mundësi të përjashtojnë kompanitë joEvropiane nga kontratat publike kur ato vijnë nga vende që nuk u lejojnë kompanive Evropiane akses në tregjet e tyre të prokurimeve publike.
“Një bashki do të jetë shumë qartë në gjendje të përjashtojë një kompani kineze ose një kompani Evropiane që ofron produkte kineze”, shtoi Séjourné. “Ajo do të mundet gjithashtu t’u japë më shumë pikë dhe më shumë peshë ofertave Evropiane kundrejt ofertave të konkurrentëve.”
Reagim i menjëhershëm nga Kina
Komisioni propozon që të paktën 30% e vlerësimit të ofertave për furnizime në prokurimet publike të bazohet në kritere cilësie dhe jo vetëm në çmim, një ndryshim që pritet të prekë edhe produktet kineze me kosto të ulët.
“Standardi i ri është raporti më i mirë cilësi-çmim dhe jo vetëm çmimi”, tha Séjourné. “Zgjedhjet tona duhet të jenë gjithashtu në gjendje t’u përgjigjen kërkesave sociale dhe mjedisore, por edhe nevojave të sovranitetit.”
Legjislacioni duhet ende të miratohet nga dy bashkëligjvënësit e BE-së, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, por propozimi shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Kina.
Në një deklaratë të publikuar pas njoftimit të Komisionit, Dhoma Kineze e Tregtisë në BE tha se një preferencë e tillë Evropiane mund të “shtrembërojë kushtet e barabarta të konkurrencës” për kompanitë kineze që marrin pjesë në tregun Evropian të prokurimeve publike.
“Prokurimet publike nuk duhet të diskriminojnë furnizuesit apo mallrat mbi bazën e kombësisë së furnizuesit ose të vendit të origjinës së mallrave.”
Në mars, një tjetër propozim për krijimin e një preference Evropiane në sektorët strategjikë të BE-së, si teknologjitë e gjelbra, industria automobilistike dhe industritë me konsum të lartë energjie, shkaktoi gjithashtu zemërim në Kinë, ndërsa Pekini kërcënoi me masa hakmarrëse.
Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, do të udhëtojë në Kinë në fillim të tetorit, me synimin për të arritur një marrëveshje politike me Pekinin për të ribalancuar marrëdhëniet tregtare mes Kinës dhe Bashkimit Evropian./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
