Çdo epokë është shënuar nga teknologji që kanë ndryshuar mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Por historia ka treguar se fuqia e tyre transformuese varet, në fund, nga njerëzit që i përdorin. Organizatat që arrijnë të ndërthurin inovacionin me kreativitetin, gjykimin dhe lidhjen njerëzore – duke investuar te njerëzit me të njëjtën vëmendje që investojnë në teknologji – janë ato që arrijnë ta shndërrojnë potencialin teknologjik në progres të vërtetë.
Inteligjenca artificiale nuk bën përjashtim. Ndërsa kompanitë në mbarë botën po nxitojnë ta integrojnë atë në aktivitetin e tyre, po bëhet gjithnjë e më e qartë se vetëm teknologjia nuk mjafton. Sipas një studimi të McKinsey, edhe pse pothuajse 90% e kompanive kanë investuar në AI, më pak se 40% raportojnë përfitime të matshme.
Për Dr. Moira Gilchrist, Chief Global Communications Officer në Philip Morris International (PMI), organizatat që përfitojnë më shumë nga teknologjitë e reja janë pikërisht ato që zhvillojnë aftësitë e njerëzve të tyre me të njëjtin intensitet me të cilin adoptojnë teknologjinë.
“Një njeri që punon me AI është shumë më i aftë sesa AI e vetme apo njeriu i vetëm”, shprehet Gilchrist.
Në këtë kontekst, tri aftësi njerëzore po bëhen veçanërisht të rëndësishme për organizatat që duan ta shndërrojnë potencialin e inteligjencës artificiale në progres real: kreativiteti, gjykimi dhe aftësia për të krijuar lidhje njerëzore.
Kreativiteti e shndërron teknologjinë në inovacion
Inteligjenca artificiale është veçanërisht e aftë në identifikimin e modeleve, analizimin e sasive të mëdha të informacionit dhe sugjerimin e hapit të radhës. Por inovacioni, në thelb, lind pikërisht kur shkohet përtej së parashikueshmes. Për kompanitë që synojnë të inovojnë dhe të dallohen, kreativiteti njerëzor po merr një rëndësi edhe më të madhe.
Gilchrist vlerëson njerëzit që janë në gjendje të bëjnë gjëra të papritura dhe të gjejnë mënyra të reja për ta përdorur teknologjinë. Sipas saj, përdorimi i AI vetëm për të përshpejtuar proceset ekzistuese nuk është i mjaftueshëm as për të ulur kostot dhe as për të krijuar vlerë të re.
Një shembull vjen nga vetë ekipi i saj në PMI. Në vend që inteligjenca artificiale të përdorej thjesht për të prodhuar përmbajtje më shpejt, ekipi zhvilloi “persona virtualë” – simulime të bazuara në AI të stakeholderëve të ndryshëm – për të testuar materialet përpara publikimit.
Teknologjia e bëri të mundur këtë proces, por ishin njerëzit ata që rimenduan mënyrën se si ajo mund të përdorej.
Gjykimi njerëzor garanton përgjegjshmërinë
AI mund të prodhojë brenda pak sekondash përgjigje të artikuluara dhe bindëse. Por këto përgjigje mund të jenë edhe të pasakta. Ndaj, ndërsa përdorimi i materialeve të gjeneruara nga AI rritet, aftësia njerëzore për t’i vlerësuar ato dhe për të marrë përgjegjësi për vendimet përfundimtare bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
“Modelet e sotme nuk mund të marrin përgjegjësi për një vendim dhe ne e marrim shumë seriozisht faktin që gjithçka që publikojmë në faqen tonë korporative apo që i jap CEO-s tonë për të thënë në një fjalim duhet të jetë faktikisht e saktë”, thotë Gilchrist.
Në praktikë, kjo nënkupton që informacioni i prodhuar nga AI duhet të trajtohet si një pikënisje dhe jo si një përgjigje përfundimtare. Përgjegjësia për vendimin mbetet te njerëzit.
Përdorimi i AI po ndryshon gjithashtu mënyrën se si shpërndahet përgjegjësia brenda organizatave. Punonjësit në fazat më të hershme të karrierës po përballen gjithnjë e më shumë me vendime dhe përgjegjësi që më parë u përkisnin profesionistëve me shumë vite eksperiencë.
Për Gilchrist, një nga pyetjet kryesore është se si kompanitë mund t’u japin punonjësve më të rinj akses në gjykimin, eksperiencën dhe instinktin vendimmarrës që zakonisht ndërtohen gjatë viteve, duke i ndihmuar ata të veprojnë me pjekurinë e një menaxheri apo drejtuesi më me përvojë.
Lidhja njerëzore ndërton besim afatgjatë
Në një kohë kur inteligjenca artificiale mund të krijojë sasi pothuajse të pakufizuara përmbajtjeje marketingu brenda pak sekondash, markat që do të arrijnë të dallohen mund të jenë pikërisht ato që krijojnë lidhje të vërteta me njerëzit.
Sipas Gilchrist, aftësia për të mbledhur dhe lidhur njerëzit rreth një marke do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Ndërsa përmbajtja e gjeneruar nga AI bëhet pjesë e zakonshme e komunikimit, besimi mund të shndërrohet në një nga elementet kryesore të diferencimit mes markave.
Një studim i Gartner i vitit 2026 tregoi se 50% e konsumatorëve amerikanë do të preferonin t’u drejtoheshin markave që nuk përdorin AI gjeneruese në mesazhet, reklamat apo përmbajtjet e drejtuara drejtpërdrejt konsumatorëve.
Për këtë arsye, krahas përshtatjes së platformave digjitale me zhvillimet e reja të AI, ekipi i Gilchrist po fokusohet edhe në krijimin e eksperiencave që forcojnë lidhjen njerëzore me markën korporative.
“Duhet të sjellësh emocion, të ndërtosh besnikëri dhe besim”, thotë ajo.
Në fakt, zhvillimi i AI mund t’i bëjë ndërveprimet reale mes njerëzve edhe më të rëndësishme. Nevoja për t’u takuar, për të komunikuar dhe për të krijuar marrëdhënie është pjesë e natyrës njerëzore dhe nuk zhduket thjesht sepse teknologjia bëhet pjesë e procesit.
Organizatat që arrijnë të ndërthurin inovacionin me kreativitetin, përgjegjshmërinë dhe lidhjen njerëzore – duke investuar te njerëzit po aq seriozisht sa te teknologjia – janë ato që kanë potencialin ta shndërrojnë ndryshimin teknologjik në progres të vërtetë për biznesin dhe për njerëzit të cilëve u shërbejnë.
Teknologjia mund të përcaktojë ritmin, por janë ende njerëzit ata që përcaktojnë tyrezultatin.
