Kryeministri Edi Rama i pranishëm në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri.
“Na duhen zgjidhje të bazuara në njohje të plotë dhe diagnozë sa më të saktë të situatë reale. Propozime konkrete e të zbatueshme dhe së treti gatishmëri për t’u angazuar të gjithë sëbashku sepse për këtë program jemi të dënuar ta ndjekim së bashku”, deklaroi shefi i qeverisë.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se sektori është në një dinamikë të jashtëzakonshme.
“Ky sektor eksporton 222 milion euro produkte, tre herë më shumë se pak vite më parë”, deklaroi ai.
“Kemi vetëm 9% sipërmarrje që përdorin inteligjencën Artificiale, kundrejt mbi 90% të qytetarëve që kanë akses online. Është shifër shqetësuese. Duhet të shkojmë në 1 miliard euro brenda dekadës për eksportet e teknologjisë, është e mundshme dhe për këtë arsye do fuqizojmë mbështetjen për start up-et, më vjen mirë që kemi pasur një kapërcim të madh në aplikime dhe kemni pasur një dyfishim të fondit në start up-e. Më vjen keq për një lloj presioni gjobëvënës që u ushtrua ndaj një numri start up-esh nga portale të njohura e famëkëqija nën maskën e shtypit të lirë, por në këtë pikë nuk mund t’ju qaj hallin sepse në njëfarë mënyrë më duket shumë pak ajo që hani ju me atë që ha unë vetë. Këshilla ime është as mos i lexoni!”, deklaroi më tej kreu i qeverisë.
Kryeministri vuri theksin te pilotimet në sektorin e turizmit, shëndetësisë, teknologjisë dhe financës, në mënyrë që të rritet inovacioni.
“Kemi po ashtu një fatmirësi sepse në platformën e-Albania kemi 3.4 milion subjekte, qytetarë dhe biznese të regjistruar dhe në indeksin e shërbimeve online renditemi në një pozicion që nuk mund as ta imagjinonim vite më parë”, shtoi ai.
“Kemi rreth 9 mijë studentë që meren me teknologji dhe për kënaqësinë time të madhe numri i vajzave është nga më të lartit në Europë”, bëri me dije kryeministri, duke vënë theksin edhe te laboratorët inteligjentë nëpër shkolla.
Sipas tij, ka një rritje të vazhdueshme të aplikimeve (me rreth 40% në dy vitet e fundit) në platformën e-Albania, ndërsa po punohet për sistemin e prokurimit publik me AI.
Në mbyllje të fjalës së tij, Rama u ndal te marrëdhënia mes shtetit dhe kompanive private në sektorin e teknologjisë, duke kritikuar varësinë e krijuar ndër vite nga fondet dhe tenderat publikë. Numri një i kabinetit tha se pas eksperiencës me AKSHI-n, ku sipas tij pati edhe raste që nuk përputheshin me standardet ligjore dhe etike, është krijuar nevoja për një qasje të re.
