13 467 masa administrative janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë një jave, ndërsa 32 persona janë arrestuar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. Mes të arrestuarve janë edhe dy drejtues mjetesh që, pasi u kapën duke drejtuar në gjendje të dehur, tentuan t’u jepnin para punonjësve të Policisë.
Kontrollet janë zhvilluar 24 orë në ditë në akset kryesore dhe rrugët me frekuentim të lartë në Tiranë. Në fokus kanë qenë shpejtësia, drejtimi nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, si dhe automjetet që shkaktojnë zhurma.
Nga 13 467 masat administrative, 4 998 janë vendosur për shkelje të rregullave të sigurisë rrugore, ndërsa 7 868 për ndalim, pushim dhe qëndrim të parregullt, shkelje që pengojnë qarkullimin dhe krijojnë kaos në trafik.
Gjithashtu, 1 093 masa janë vendosur ndaj drejtuesve të motomjeteve për mosrespektim të përdorimit të kaskës. Policia ka ndëshkuar edhe 418 drejtues për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 309 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Në kuadër të kontrolleve janë konstatuar edhe 19 drejtues që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, ndërsa 83 masa janë vendosur për automjete që shkaktojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme.
Policia Rrugore ka bllokuar gjithashtu 75 mjete për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Dy rastet e tentativës për korrupsion kanë ndodhur pasi drejtuesit janë konstatuar duke drejtuar në gjendje të dehur. Të dy janë përballur me procedurat përkatëse ligjore.
Kontrollet do të vijojnë në rrugët kryesore dhe akset me fluks të lartë, me fokus respektimin e rregullave të qarkullimit dhe parandalimin e aksidenteve.
