Kostoja e aksidenteve rrugore po bëhet gjithnjë e më e lartë për kompanitë e sigurimeve. Të dhënat për periudhën janar-korrik 2026 tregojnë se, megjithëse numri i praktikave të dëmeve të paguara në sigurimet motorike nuk ka shënuar një rritje të fortë, vlera e parave të paguara nga kompanitë është rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga AMF, dëmi mesatar në sigurimin e detyrueshëm motorik MTPL e brendshme arriti në 180 mijë lekë për periudhën janar-korrik 2026, nga 161 mijë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo përfaqëson një rritje prej 11.99% brenda një viti, ose rreth 19 mijë lekë më shumë për një dëm mesatar të paguar.
Rritja e kostos mesatare bëhet edhe më e dukshme kur krahasohen vlera dhe numri i dëmeve të paguara.
Në sigurimin MTPL të brendshëm, kompanitë paguan gjatë shtatë muajve të parë të vitit 3.03 miliardë lekë dëme bruto, nga rreth 2.61 miliardë lekë në janar-korrik 2025. Në vetëm një vit, fatura e dëmeve është rritur me 15.99%, ose me rreth 417 milionë lekë.
Ndërkohë, numri i dëmeve të paguara për kategorinë e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ku përfshihet MTPL, është rritur shumë më ngadalë. Në janar-korrik 2026 janë paguar 17,760 dëme, kundrejt 17,202 një vit më parë, me një rritje prej vetëm 3.24%.
Pra, ndërsa numri i praktikave të paguara është shtuar me pak më shumë se 3%, vlera e dëmeve të paguara është rritur me rreth 16%. Diferenca mes këtyre dy ritmeve reflektohet drejtpërdrejt te rritja e dëmit mesatar.
Të dhënat tregojnë se një aksident po u kushton sot më shtrenjtë kompanive të sigurimit. Në këtë tendencë ndikojnë edhe kostot më të larta që shoqërojnë riparimin e automjeteve, nga çmimet e pjesëve të këmbimit dhe shërbimet e serviseve, deri te pagat dhe kostot e tjera të punës.
Presioni është veçanërisht i rëndësishëm për tregun shqiptar, pasi MTPL e brendshme është produkti kryesor mbi të cilin mbështetet sigurimi i Jo-Jetës në vend. Për këtë arsye, një rritje e vazhdueshme e dëmit mesatar ndikon drejtpërdrejt në kostot dhe rezultatet teknike të kompanive.
Tendenca nuk është e njëjtë për të gjitha llojet e sigurimeve motorike. Për Kasko, dëmi mesatar ra nga 119 mijë në 105 mijë lekë, ose me 11.49%. Për Kartonin Jeshil ai zbriti nga 573 mijë në 550 mijë lekë, me 4.04%, ndërsa për sigurimin kufitar ra nga 281 mijë në 223 mijë lekë, ose me 20.46%.
Në totalin e sigurimeve motorike të paraqitura nga AMF, dëmi mesatar u rrit nga 167 mijë lekë në 175 mijë lekë, ose me 4.28%. Por pikërisht te MTPL e brendshme, produkti me peshën kryesore në treg, rritja është pothuajse trefish më e lartë, duke sinjalizuar një presion në rritje nga kostoja e dëmeve mbi kompanitë e sigurimit. /ekofin.al

