Nga Mirilda Tili
Nga 3 shtatori, Shqipëria ka ndalur importin e mishit nga Brazili, një masë e Ministrisë së Bujqësisë që synon përafrimin e kuadrit shqiptar me standardet europiane dhe forcimin e kërkesave për sigurinë ushqimore. Por vendimi hap një debat të rëndësishëm ekonomik: çfarë ndodh me tregun shqiptar kur një prej furnizuesve kryesorë të mishit hiqet nga skema e importit?
Për Ekofin.al, ekspertët Alban Zusi nga Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë dhe Ervin Resuli nga Urdhëri i Veterinerëve japin dy këndvështrime të ndryshme mbi efektet e masës. Në qendër të debatit janë siguria ushqimore, konkurrenca në treg, kostoja e furnizimit dhe, mbi të gjitha, çmimi që do të paguajë konsumatori.
Alban Zusi e konsideron masën të panevojshme në kushtet aktuale të tregut shqiptar. Sipas tij, përafrimi me legjislacionin europian nuk mund të shihet i shkëputur nga fakti se Shqipëria ende nuk ka akses të plotë në tregun europian për eksportet e produkteve të mishit.
“Është një masë, sipas meje, e panevojshme. Bëhet për të linearizuar legjislacionin me BE, por ndërkohë ne nuk lejohemi të eksportojmë në BE. Dhe nuk bën sens të kemi kufizimet e BE, pa mbështetjet që BE i jep industrisë së vet dhe ndërkohë nuk shesim dot me çmimet e BE sepse nuk eksportojmë në BE”, shprehet Zusi.
Në vlerësimin e tij, efekti do të jetë i drejtpërdrejtë në çmimet e tregut. “Pra, në fund thjesht do rrisim çmimin e produkteve të mishit për konsumatorin final me të paktën 15%. Kaq e thjeshtë analiza”, argumenton ai.
Në anën tjetër, Ervin Resuli e sheh masën kryesisht përmes perspektivës së sigurisë ushqimore. Sipas tij, kufizimi i importit nga Brazili lidhet me forcimin e standardeve dhe me kërkesën për garantimin e një niveli më të lartë kontrolli mbi mishin që hyn në tregun shqiptar.
Megjithatë, pikërisht këtu shfaqet një nga problematikat më të mëdha të debatit: standardet më të larta kanë edhe një kosto ekonomike. Edhe në diskutimet europiane është evidentuar se kërkesat për standardet e stabilimenteve të gjedhëve janë më të kushtueshme dhe, në mënyrë të pashmangshme, ndikojnë në formimin e një çmimi më të lartë të produktit.
Brazili mbulonte më shumë se një të tretën e importeve
Shifrat e tregtisë e bëjnë më të qartë peshën që ka Brazili në furnizimin e tregut shqiptar.
Sipas shifrave të analizuara nga ekofin.al, nga janari deri në qershor 2026, Shqipëria ka blerë rreth 23 mijë tonë mish, me një vlerë totale prej 46.3 milionë eurosh. Rreth 34.6% e këtyre furnizimeve kanë ardhur nga Brazili, duke e bërë atë një prej burimeve kryesore të mishit të importuar në vend.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, nga Brazili janë importuar 7,991 tonë “Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit”, me vlerë rreth 1.48 miliardë lekë, ose afro 16 milionë euro.
Kjo shifër është veçanërisht domethënëse edhe në raport me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, importet e mishit nga Brazili ishin rreth 12.9 milionë euro, çka do të thotë se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti blerjet janë rritur me afro 3 milionë euro.
Në total, gjatë vitit 2025, Shqipëria importoi nga tregjet ndërkombëtare rreth 87.7 milionë euro mish, ndërsa vetëm nga Brazili rreth 27 milionë euro.
Kjo e vendos vendimin e 3 shtatorit përtej një çështjeje thjesht administrative. Brazili nuk ishte një furnizues periferik, por një burim i rëndësishëm i tregut shqiptar.
Goditja më e madhe mund të ndihet te industria e përpunimit
Efekti nuk pritet të kufizohet vetëm te tregu i mishit të freskët. Në Shqipëri, mishi i importuar nga Brazili përdoret në një masë të konsiderueshme nga industria e përpunimit të mishit, duke hyrë në zinxhirin e prodhimit të sallameve, proshutave dhe nënprodukteve të tjera.
Pikërisht këtu qëndron një nga shqetësimet kryesore të biznesit: nëse një pjesë e konsiderueshme e furnizimit duhet të zëvendësohet me mish nga tregje të tjera, ku kostot e prodhimit dhe standardet e kërkuara janë më të larta, rritja e kostos së lëndës së parë mund të transmetohet përgjatë gjithë zinxhirit deri te konsumatori.
Nëse tregu nuk arrin të gjejë shpejt alternativa me të njëjtin raport çmim–volum, presioni mbi çmimet e produkteve të përpunuara do të jetë i pashmangshëm.
Dhe kjo është veçanërisht e ndjeshme për një treg që tashmë mbështetet në importe për të plotësuar nevojat e konsumit.
157 milionë euro mish nga Brazili në pak vite
Pesha e Brazilit bëhet edhe më e dukshme kur analiza zgjerohet në kohë. Nga viti 2020 deri në fund të qershorit 2026, Shqipëria ka importuar nga Brazili mish me një vlerë totale prej rreth 157 milionë eurosh.
Pra, vendimi nuk prek një kanal të vogël tregtar, por një marrëdhënie furnizimi që është konsoliduar gjatë viteve dhe që ka luajtur rol në furnizimin e industrisë shqiptare të përpunimit.
Pyetja kryesore tani është se nga do të zëvendësohen këto volume dhe me çfarë kostoje.
Furnizuesit alternativë ekzistojnë. Shtetet e Bashkuara, Italia, Greqia dhe Paraguai janë ndër vendet nga të cilat Shqipëria siguron mish. Por sfida nuk është vetëm gjetja e burimit të ri. Është gjetja e një burimi që mund të zëvendësojë volumin brazilian pa krijuar një goditje të fortë në koston e importit.
Prodhimi vendas nuk është në pozicionin më të mirë për të mbushur boshllëkun
Në teori, një kufizim i importeve mund të krijojë hapësirë për prodhimin vendas. Në praktikë, të dhënat tregojnë se ky sektor nuk po përjeton një periudhë zgjerimi.
Prodhimi total i mishit në Shqipëri ka rënë nga rreth 150 mijë tonë në vitin 2020 në 133 mijë tonë në vitin 2025.
Në të njëjtën kohë, është tkurrur edhe baza blegtorale. Numri i bagëtive ka zbritur nga rreth 2.6 milionë krerë në vitin 2020 në 2.1 milionë në vitin 2025.
Kjo do të thotë se Shqipëria përballet me një paradoks: në momentin kur kufizohet një prej burimeve më të rëndësishme të importit, kapaciteti i prodhimit vendas nuk është në një trajektore që e bën të lehtë zëvendësimin e menjëhershëm të këtij furnizimi. /ekofin.al
