Transporti mbetet një nga pikat më të vështira të objektivit të ri klimatik të Shqipërisë. Nëse vendi vazhdon vetëm me politikat që janë tashmë të miratuara ose në zbatim, emetimet nga transporti projektohen të rriten me 36% deri në vitin 2035 krahasuar me 2020. Por nëse realizohen masat shtesë të parashikuara, e njëjta trajektore ndryshon drejtim dhe emetimet e transportit mund të jenë 7% më të ulëta se në vitin 2020.
Diferenca mes dy skenarëve tregon sa shumë varet objektivi klimatik nga investimet dhe politikat që ende duhet të realizohen. Skenari “me masa ekzistuese”, WEM, përfshin politikat e zbatuara dhe të miratuara, ndërsa skenari “me masa shtesë”, WAM, përfshin edhe politika të planifikuara që ende duhet të miratohen ose zbatohen. Në total, këto masa shtesë pritet të ulin emetimet e Shqipërisë me 3.2 milionë tonë CO₂ ekuivalent, dhe rreth 29% e këtij reduktimi pritet të vijë vetëm nga transporti, pjesa më e madhe ndër sektorët e analizuar.
Arsyeja e rritjes së emetimeve pa ndërhyrje të reja është se kërkesa për lëvizje pritet të rritet më shpejt se elektrifikimi i transportit. Për ta kthyer këtë tendencë, dokumenti parashikon elektrifikimin e flotës, automjetet me emetime të ulëta, zgjerimin e transportit publik, zhvillimin e hekurudhës, biokarburantet e avancuara dhe përdorimin e hidrogjenit të gjelbër për transportin e rëndë.
Plani përfshin ngritjen gjithashtu ngritjen e stacioneve të karikimit për automjetet elektrike, e kombinuar me instalimin e paneleve fotovoltaike, për të cilën dokumenti jep një financim prej 13.5 milionë eurosh nga IPA III, Dritarja 3 “Agjenda e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm”. Për elektrifikimin e sektorit të transportit parashikohet gjithashtu një studim vlerësimi prej 15 mijë eurosh, ndërsa për biokarburantet e qëndrueshme dhe të avancuara parashikohet një kosto prej 124 mijë eurosh.
Plani përllogarit gjithashtu një shumë prej rreth 5 milionë eurosh investime kapitale në infrastrukturën e stacioneve të karikimit, ndërsa pasurimi i flotës së taksive me makina hibride ose elektrike vlerësohet në 0.5 milionë euro. Veç kësaj, për mekanizmat mbështetës të eficiencës së energjisë dhe automjeteve ekologjike, dokumenti evidenton një investim prej rreth 228 milionë eurosh për arritjen e objektivit të parashikuar deri në 2030.
Për lidhjen e rrjetit hekurudhor shqiptar me rrjetin ndërkombëtar, kostoja mbetet ende për t’u përcaktuar, ndërsa për linjën hekurudhore Durrës–Tiranë–Rinas parashikohen 129 milionë euro.
Dokumenti parashikon në plan të gjerë një buxhet total prej 4.888 miliardë eurosh për investimet në sektorin e transportit gjatë periudhës 2019–2038. Nga kjo shumë, 4.459 miliardë euro lidhen me projekte të sektorit publik dhe 429.5 milionë euro me investime private.
Transporti ka edhe një faturë tjetër, të veçantë nga ulja e emetimeve: përshtatjen e rrugëve dhe infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike. Plani Kombëtar i Përshtatjes 2026–2036 identifikon 7 masa për transportin me kosto totale rreth 2.039 miliardë USD.
Këto masa përfshijnë 457 mijë USD për analiza të rregullta të cenueshmërisë së infrastrukturës rrugore, 2.9 milionë USD për studime gjeologjike dhe zgjidhje bioinxhinierike për rrugët, 1.2 milionë USD për lëvizshmëri urbane të qëndrueshme, 2.7 milionë USD për përshtatjen e infrastrukturës kritike të transportit, 218 mijë USD për politika të transportit të qëndrueshëm dhe 1.9 milionë USD për partneritete novatore.
Pjesa dërrmuese e faturës së përshtatjes, 2.029 miliardë USD, lidhet me masën për “integrimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për qëndrueshmërinë e sektorit të transportit”. Kjo shumë përbën rreth 99.5% të kostos së të shtatë masave të transportit, duke e bërë atë zërin që dominon pothuajse të gjithë faturën e përshtatjes së sektorit./ekofin.al

