Tregu shqiptar i komunikimeve elektronike po reflekton gjithnjë e më qartë ndryshimin e mënyrës se si përdoruesit komunikojnë. Telefonatat tradicionale dhe SMS-të po humbasin terren, ndërsa konsumi i internetit celular vijon të rritet me ritme dyshifrore.
Të dhënat më të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për tremujorin e dytë të vitit 2026, tregojnë se trafiku i internetit në rrjetet celulare arriti në rreth 77.2 milionë GB, me rritje 13% krahasuar me tremujorin e parë dhe 24.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e përdorimit të internetit bëhet edhe më e dukshme kur të dhënat analizohen për çdo përdorues. Një përdorues aktiv konsumoi mesatarisht 12.27 GB internet në muaj, nga 9.84 GB në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 24.7%. Në të kundërt, mesatarja mujore e telefonatave zbriti në 132 minuta, me rënie 7.8%, ndërsa përdorimi i SMS-ve ra me 16.5%, në vetëm 11 mesazhe në muaj.
Edhe në terma absolutë tendenca është e njëjtë. Gjatë tremujorit të dytë u gjeneruan rreth 975.6 milionë minuta telefonata dalëse, 7.7% më pak se një vit më parë. Numri i SMS-ve të dërguara ishte rreth 81.8 milionë, me rënie vjetore 16.4%. Ndërkohë, trafiku i të dhënave u rrit nga rreth 62 milionë GB në T2 2025 në mbi 77.2 milionë GB në T2 2026.
Të dhënat dëshmojnë një zhvendosje të vazhdueshme të komunikimit drejt internetit dhe aplikacioneve që funksionojnë mbi të, ndërsa telefonatat zanore dhe veçanërisht SMS-të tradicionale po përdoren gjithnjë e më pak.
Në fund të qershorit 2026, në Shqipëri numëroheshin 2.97 milionë karta SIM, nga rreth 3.27 milionë një vit më parë. Kjo do të thotë se numri i pajtimtarëve sipas kartave SIM është ulur me 9.1% në një vit. Kjo ulje shpjegohet më së shumti me një rënie të shitjeve të kartave fizike SIM për turistët, për shkak të përdorimit të ofertave eSIM nga ana e tyre. Ndërkohë, numri i përdoruesve aktivë nuk ka ndjekur të njëjtën tendencë: ai arriti në rreth 2.49 milionë, 2% më shumë kundrejt tremujorit të parë dhe 0.2% më shumë në raport me T2 2025.
Një tjetër zhvillim interesant është rritja graduale e peshës së kontratave me paspagim. Në T2 2026, 48.1% e përdoruesve aktivë ishin me paspagim, kundrejt 45.4% një vit më parë. Përdoruesit me parapagim përbënin 51.9%, nga 54.6% në T2 2025.
Rritja e internetit nuk kufizohet vetëm te celularët. Numri i abonentëve të internetit broadband nga rrjetet fikse arriti në 733,150, duke u rritur 3.9% brenda një tremujori dhe 5.7% në krahasim me T2 2025.
Interesant është fakti se rritja po vjen kryesisht nga abonimet vetëm për internet. Numri i pajtimtarëve “Internet Only” arriti në rreth 438 mijë, ose 59.7% të totalit, duke u rritur 10.8% në një vit. Në të kundërt, paketat e integruara internet, televizion dhe/ose telefoni ranë me 1.2%.
Ndërkohë, telefonia fikse vijon tkurrjen. Në fund të T2 2026 kishte rreth 144,850 pajtimtarë, 2.6% më pak se një tremujor më parë dhe 6.9% më pak se në T2 2025.
Shifrat e AKEP konfirmojnë kështu një transformim që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në tregun shqiptar të telekomunikacioneve: interneti po kthehet në shërbimin qendror të komunikimit, ndërsa telefonia zanore, SMS-të dhe telefonia fikse po humbasin gradualisht peshë. /ekofin.al
