Transporti publik rikthehet që sot në qarkullim me flotën e plotë. Paralelisht, rikthehet edhe skema e mbështetjes për karburantin, e njëjtë me atë të aplikuar më herët: 50 lekë kompensim për çdo litër karburant, për një periudhë tre mujore.
Ekofin mëson se vendimi për rikthimin e skemës së subvencionimit ka sjellë edhe rikthimin e plotë të autobusëve në shërbim, pas reduktimit të flotës ditët e fundit.
Masa vjen në një moment kur kostoja e operimit të transportit publik është rritur ndjeshëm për shkak të çmimit të karburantit. Nafta ka kaluar sërish nivelin e 200 lekëve për litër, duke shtuar presionin mbi operatorët e transportit.
Skema e re do të jetë e njëjtë me atë të aplikuar më parë. Kompensimi parashikohet në masën 50 lekë për litër karburant, ndërsa mbështetja do të shtrihet për tre muaj.
Në skemën e parë, qeveria miratoi kompensimin prej 50 lekësh për litër për shoqëritë që operojnë linja qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, për periudhën mars–maj 2026. Efektet financiare të skemës së parë ishin 250 milionë lekë.
Nafta, mbi 200 lekë për litër
Rritja e çmimit të naftës është një nga faktorët kryesorë që ka rënduar bilancet e operatorëve. Çmimet e gazoilit kanë kaluar disa herë pragun e 200 lekëve për litër gjatë muajve të fundit; në prill, për shembull, çmimi tavan me pakicë ishte përcaktuar në 215 lekë/litër.
Për operatorët e transportit publik, ku karburanti përbën një prej zërave kryesorë të kostos, rritja e çmimit të naftës përkthehet drejtpërdrejt në shpenzime më të larta për çdo linjë dhe autobus.
Pikërisht për këtë arsye, kompensimi prej 50 lekësh për litër synon të amortizojë efektin e çmimit të karburantit dhe të garantojë vijimin normal të shërbimit.
Nga reduktimi i flotës, në shërbim të plotë
Reduktimi i numrit të autobusëve në qarkullim gjatë ditëve të fundit solli shqetësim për qytetarët, me rritje të kohës së pritjes në stacione.
Me rikthimin e skemës së mbështetjes, nga sot transporti publik rikthehet me flotë të plotë, duke synuar normalizimin e frekuencës së linjave dhe shërbimit për qytetarët./ekofin.al
