Për disa nga bashkimet e propozuara, reforma territoriale përdor një argument të drejtpërdrejtë social: banorët i marrin tashmë një pjesë të shërbimeve kryesore në bashkinë ku propozohet të bashkohen, nga shëndetësia dhe arsimi deri te administrata shtetërore.
Rasti më i qartë është Rrogozhina. Sipas relacionit, banorët e saj marrin aktualisht në Kavajë një pjesë të shërbimeve shëndetësore, arsimore dhe administrative. Bashkimi me Kavajën argumentohet, ndër të tjera, me mundësinë për të standardizuar shërbimet dhe për të bërë investime sociale që Rrogozhina nuk arrin t’i përballojë e vetme.
E njëjta logjikë përdoret për Prrenjasin. Shërbimet e mesme arsimore, shëndetësore dhe administrative të luginës janë të përqendruara në Librazhd dhe, sipas dokumentit, përdoren tashmë nga banorët e Prrenjasit. Për këtë arsye, konsolidimi argumentohet si formalizim i një graviteti që ekziston tashmë në jetën e përditshme.
Në jug, Memaliaj dhe Tepelena paraqiten si dy territore ku shërbimet janë tashmë të ndërthurura. Spitali, arsimi i mesëm dhe administrata shtetërore u shërbejnë të dy territoreve, ndërsa dy bashkitë së bashku kanë vetëm rreth 13.300 banorë.
Pikërisht ky rast nxjerr në pah edhe dimensionin demografik të problemit. Sipas relacionit, Memaliaj dhe Tepelena kanë humbur mbi gjysmën e popullsisë që nga viti 1990, ndërsa asnjëra nuk konsiderohet se ka më masën e nevojshme për t’u rimëkëmbur e vetme.
Në këtë optikë, një pjesë e reformës nuk argumentohet thjesht me kursimin administrativ. Ideja është që kufiri formal i bashkisë të afrohet me hartën reale të shërbimeve, punësimit dhe lëvizjes së qytetarëve, aty ku njerëzit tashmë orientohen drejt një qendre fqinje për nevoja që bashkia e tyre nuk i ofron ose nuk i ofron në të njëjtin nivel.
Megjithatë, relacioni nuk jep në këto raste të dhëna mbi sa banorë, çfarë përqindjeje të popullsisë apo sa vizita kryhen në spitalet, shkollat apo administratat e bashkive fqinje. Ai e paraqet përdorimin e këtyre shërbimeve si argument funksional të reformës, pa e shoqëruar në këto pjesë me matje sasiore të fluksit.
Për qytetarët, testi pas reformës do të jetë nëse bashkimi do të thotë vetëm ndryshim kufiri në hartë apo nëse shërbimet që sot kërkohen jashtë bashkisë do të bëhen realisht më të aksesueshme dhe me standard më të njëjtë për të gjithë territorin e ri. /ekofin.al
