Një projektligj i ri, i nxjerrë për konsultim publik, synon të ndryshojë ndjeshëm standardet që duhet të plotësojnë bizneset dhe institucionet për t’i bërë mallrat dhe shërbimet të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
Drafti “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, synon të garantojë aksesueshmërinë përmes eliminimit të barrierave, por edhe të rrisë autonominë dhe mundësinë për jetesë të pavarur të personave me aftësi të kufizuara.
Në aspektin ekonomik, ndryshimet janë të rëndësishme, pasi detyrimet nuk kufizohen vetëm te institucionet shtetërore. Kuadri i ri përfshin strukturat publike dhe jopublike, organet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët ekonomikë.
Projektligji prek një gamë të gjerë produktesh që përdoren çdo ditë nga konsumatorët. Mes tyre përfshihen sistemet kompjuterike dhe sistemet operative, terminalet e pagesave, bankomatet, makinat automatike të shitjes së biletave, pajisjet e check-in, terminalet interaktive të informacionit, pajisjet për komunikime elektronike dhe akses në shërbimet audiovizive, si dhe lexuesit elektronikë. Këto produkte duhet të projektohen dhe prodhohen në mënyrë që të maksimizohet përdorimi i tyre nga personat me aftësi të kufizuara, sipas parimeve të dizajnit universal.
Por efekti më i drejtpërdrejtë për konsumatorët dhe bizneset pritet të vijë nga shërbimet.
Në fushën e zbatimit futen komunikimet elektronike, shërbimet që mundësojnë akses në median audiovizive, transporti ajror, rrugor, hekurudhor dhe ujor, shërbimet bankare për konsumatorët, librat elektronikë dhe shërbimet e tregtisë elektronike.
Për transportin, kërkesat shtrihen edhe te faqet e internetit, aplikacionet celulare, biletat dhe biletimi elektronik, informacioni mbi udhëtimin në kohë reale dhe terminalet e vetëshërbimit. Projektligji përfshin gjithashtu aksesueshmërinë e komunikimeve drejt numrit unik të emergjencës 112.
Për ofruesit e shërbimeve krijohet një detyrim i drejtpërdrejtë për t’i dizenjuar dhe ofruar ato sipas kritereve të aksesueshmërisë. Ata duhet të japin informacion, në formë të shkruar dhe kur është e nevojshme edhe verbale, se si shërbimi i përmbush këto standarde. Informacioni duhet të jetë i disponueshëm për publikun në një gjuhë të thjeshtë dhe të aksesueshme. Nëse konstatohet mospërputhje, operatori duhet të marrë masa korrigjuese dhe të informojë autoritetin mbikëqyrës.
Një element me ndikim të drejtpërdrejtë për sektorin privat është përjashtimi i mikrondërmarrjeve që ofrojnë shërbime nga kërkesat e aksesueshmërisë. Sipas përkufizimit të draftit, mikrondërmarrje konsiderohet ajo me më pak se 10 punëmarrës dhe me xhiro vjetore që nuk tejkalon 2 milionë euro ose total bilanci vjetor deri në 2 milionë euro.
Drafti parashikon gjithashtu një mekanizëm për rastet kur përmbushja e kritereve do të kërkonte ndryshime thelbësore të produktit apo shërbimit ose do t’i vendoste operatorit ekonomik një barrë joproporcionale. Megjithatë, kjo nuk nënkupton automatikisht përjashtim të plotë: operatori duhet të bëjë një vlerësim të arsyetuar dhe ta dokumentojë atë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me prokurimet publike. Kriteret e aksesueshmërisë të vendosura nga ligji parashikohen të jenë të detyrueshme edhe për shërbimet e prokurimit publik, duke e shtrirë efektin e standardeve të reja edhe te kontratat publike.
Për sektorin financiar, rol të posaçëm merr Banka e Shqipërisë. Ajo parashikohet të mbikëqyrë përputhshmërinë e shërbimeve bankare për konsumatorët, të kërkojë dokumentacion nga ofruesit, të shqyrtojë ankesat për mospërputhje, të kërkojë masa korrigjuese dhe të marrë masa administrative. Ndërkohë, AKEP dhe AMA do të kenë përgjegjësi të ngjashme në komunikimet elektronike dhe median audiovizive.
Gjobat mund të arrijnë deri në 5 milionë lekë. Projektligji parashikon që shkelja e detyrimeve për aksesueshmërinë nga një operator ekonomik të konsiderohet kundërvajtje administrative dhe të dënohet me gjobë deri në 5 milionë lekë ose, kur bëhet fjalë për një shoqëri tregtare, deri në 0.1% të xhiros totale vjetore të realizuar në vitin financiar paraardhës. Do të aplikohet vlera që rezulton më e lartë.
Megjithatë, drafti parashikon një qasje graduale për shkeljet e korrigjueshme. Në inspektimin e parë, kur mospërputhja mund të korrigjohet dhe nuk paraqet rrezik serioz, autoriteti mbikëqyrës jep paralajmërim dhe urdhëron marrjen e masave korrigjuese. Afati i vendosur për korrigjimin nuk mund të jetë më shumë se nëntë muaj. Nëse operatori nuk zbaton masat brenda afatit, mosveprimi përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë. /ekofin.al
