Për vite me radhë, pakot e vogla nga Kina kanë mbushur kutitë postare të konsumatorëve evropianë. Veshje, aksesorë, pajisje elektronike dhe produkte të përdorimit të përditshëm të porositura në Shein, Temu apo AliExpress mbërrinin drejtpërdrejt në shtëpitë e konsumatorëve, me çmime shumë të ulëta.
Një sistem, që për disa konsiderohej si një lloj “pushtimi” tregtar, të cilin BE-ja tashmë e ka frenuar ndjeshëm.
Që prej 1 korrikut, pakot me vlerë deri në 150 euro i nënshtrohen një tarife doganore fikse prej 3 eurosh për çdo kategori produkti. Deri tani, këto dërgesa me vlerë të ulët përjashtoheshin nga detyrimet doganore.
Efekti i masës ka qenë i shpejtë.
Sipas të dhënave të doganave franceze, të cituara të enjten nga Ministria e Ekonomisë, numri i pakove të vogla të importuara në BE ka rënë me 30%-40% që nga vendosja e tarifës.
Qeveria franceze e sheh këtë si dëshmi se një rregullim më i fortë mund të ndryshojë sjelljen e konsumatorëve dhe dominimin në treg të platformave të mëdha kineze.
Nga qershori në korrik, volumi i shitjeve ra ndjeshëm në Temu, me 50%, dhe në AliExpress, me 37%.
Shein është prekur më pak, me një rënie prej 15%, e ndihmuar edhe nga hapja e planifikuar e një magazine të re në Poloni në fund të vitit 2025, e cila ndihmon në zbutjen e barrës së tarifës.
Pse vendosi Evropa të ndërhyjë?
Në vitin 2025, në BE hynë 5.9 miliardë artikuj me vlerë të ulët, ekuivalenti i më shumë se 16 milionë pakove në ditë.
Sipas Brukselit, ky sistem u jepte platformave të mëdha të huaja një avantazh ndaj shitësve evropianë, të cilët duhet të respektojnë të njëjtat rregulla dhe të paguajnë detyrimet mbi importet.
Komisioni Evropian ka ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë e produkteve.
Sipas një vrojtimi të kryer në BE gjatë vitit 2025, më shumë se 60% e produkteve me vlerë të ulët të kontrolluara nuk përmbushnin kërkesat evropiane ose standardet e sigurisë.
Rregullat e reja u japin kështu autoriteteve doganore edhe më shumë mundësi për të identifikuar produktet që mund të paraqesin rrezik.
Megjithëse duket se po jep rezultat, masa nuk është e përhershme.
Ajo synon të shërbejë si një hap kalimtar drejt reformës më të gjerë të sistemit doganor evropian, e parashikuar për vitin 2028.
Një tjetër masë mund të vijë që në nëntor, kur mund të shtohen tarifa të tjera për të financuar përpunimin dhe trajtimin e pakove.
Të dhënat për Shein japin gjithashtu një sinjal për atë që mund të ndodhë më tej.
Një tarifë që vendoset në kufi mund të shmanget duke zhvendosur magazinat brenda territorit të BE-së. Po kështu, një tarifë prej 3 eurosh që arrin të ndryshojë zakonet e blerjes brenda një muaji mund të absorbohet nga platformat, të ndahet mes kategorive të produkteve ose të përfshihet në çmimin final.
Brukseli ka treguar se mund ta ngadalësojë fluksin e pakove, por nëse kjo masë do të ndryshojë realisht vendin nga ku vijnë këto mallra, kjo mbetet për t’u parë gjatë dy viteve të ardhshme./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
