Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shkon drejt mbylljes së një tjetër muaji me shifra rekord të trafikut ajror. Gjatë muajit më të ngarkuar të vitit, në aeroport pritshmëritë janë që të përpunohen rreth 1.71 milionë pasagjerë, sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Shifra është veçanërisht e lartë duke e konfirmuar gushtin si një prej periudhave me fluksin më të madh të udhëtarëve në Rinas.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Rama, kulmi është regjistruar më 17 gusht, kur Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përpunoi brenda vetëm një dite 60,291 pasagjerë dhe 326 fluturime.
Kjo do të thotë se vetëm në këtë ditë, mesatarisht, në aeroport janë përpunuar më shumë se 2,500 pasagjerë në orë, nëse fluksi do të shpërndahej në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë 24 orëve.
Shifrat e gushtit vijnë menjëherë pas një korriku gjithashtu rekord. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë korrikut Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përpunoi afro 1.65 milionë pasagjerë, ose 28.1% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Vetëm duke mbledhur trafikun e korrikut me atë që pritet të realizohet në gusht, rezultojnë rreth 3.37 milionë pasagjerë të përpunuar në Rinas në më pak se dy muaj.
Rritja e fortë e trafikut në aeroportin e vetëm ndërkombëtar funksional të vendit lidhet me zgjerimin e vazhdueshëm të destinacioneve direkte, shtimin e frekuencave të fluturimeve dhe rritjen e lëvizjeve turistike gjatë sezonit veror.
Kryeministri iu referua gjithashtu raportit të prillit 2026 për trafikun aeroportual, sipas të cilit Tirana u rendit sërish si aeroporti me rritjen më të shpejtë mujore në kategorinë e aeroporteve të mëdha.
Rritja e fortë e numrit të udhëtarëve po e çon Rinasin drejt një tjetër viti rekord. Pasagjerët e përpunuar gjatë pikut të sezonit veror tregojnë se aeroporti po operon tashmë në një shkallë trafiku shumë më të lartë se vetëm pak vite më parë, ndërsa ritmet e muajve të fundit do të përcaktojnë edhe se sa mbi rekordin e vitit të kaluar do të mbyllet 2026. /ekofin.al
