Një Projektligji i ri, i hedhur për konsultim, vendos mekanizmin për llogaritjen dhe pagesën e kontributit shqiptar në buxhetin e BE-së. Nga doganat dhe TVSH-ja te të ardhurat kombëtare dhe plastika e pa ricikluar, çdo burim do të kthehet në një komponent të faturës së anëtarësimit. Pagesat nisin me anëtarësimin, ndërsa përgatitja e shtetit për këtë detyrim fillon tani.
Shqipëria po ndërton mekanizmin për “faturën e anëtarësimit” në Bashkimin Evropian, një detyrim financiar që do të aktivizohet me hyrjen në Union dhe që do të përfshihet në buxhetin e shtetit si një zë i ri financiar.
Projektligji “Për kontributin kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Evropian” nuk përcakton ende një shumë konkrete për këtë faturë. Ai përcakton mënyrën se si ajo do të llogaritet, planifikohet, financohet dhe transferohet në buxhetin e BE-së.
Në praktikë, sa më e madhe të jetë baza ekonomike mbi të cilën llogariten komponentët përkatës, aq më i rëndësishëm do të jetë edhe detyrimi financiar i Shqipërisë. Për këtë arsye, projektligji e lidh faturën jo vetëm me arkëtimet doganore dhe TVSH-në, por edhe me madhësinë e ekonomisë, statistikat kombëtare dhe performancën në riciklimin e plastikës.
Katër burime do të ndërtojnë faturën
Kontributi shqiptar do të mbështetet në sistemin e Burimeve të Veta të BE-së. Në projektligj përcaktohen katër komponentë kryesorë.
I pari janë Burimet Tradicionale të Veta, që lidhen me detyrimet doganore të Tarifës së Përbashkët Doganore dhe detyrime të tjera që burojnë nga tregtia me vendet e treta.
I dyti është burimi i bazuar në TVSH, i cili do të llogaritet mbi bazën e harmonizuar të TVSH-së dhe sipas metodologjisë së përcaktuar nga legjislacioni evropian.
I treti është burimi i bazuar në të Ardhurat Kombëtare Bruto (AKB). Ky komponent e lidh drejtpërdrejt kontributin me madhësinë e ekonomisë shqiptare dhe e bën cilësinë e statistikave kombëtare një element me ndikim financiar.
I katërti është burimi i bazuar në mbetjet e paketimeve plastike që nuk riciklohen. Pra, edhe niveli i mbetjeve plastike të pa ricikluara do të hyjë në mekanizmin që përcakton kontributin shqiptar.
Projektligji lë gjithashtu hapësirë për çdo kategori tjetër të Burimeve të Veta që mund të përcaktohet nga acquis i Bashkimit Evropian.
Sa do të jetë fatura?
Projektligji nuk jep një shumë përfundimtare. Fatura do të përcaktohet përmes përllogaritjeve që do të bëhen mbi secilin prej burimeve dhe në përputhje me rregullat e sistemit evropian të Burimeve të Veta.
Kjo do të thotë se detyrimi nuk është një shumë fikse që mund të parashikohet një herë e përgjithmonë. Ai mund të ndryshojë në varësi të të dhënave ekonomike dhe statistikore, rishikimeve metodologjike dhe korrigjimeve që mund të bëhen nga institucionet shqiptare, Komisioni Evropian apo Eurostat.
Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Financave duhet të krijojë hapësira fiskale për të përballuar korrigjimet e mundshme financiare.
Nëse rishikimi i bazës së TVSH-së, i AKB-së apo i të dhënave mbi mbetjet plastike sjell ndryshim të detyrimit, diferenca do të duhet të reflektohet financiarisht.
Buxheti do të duhet të mbajë rezervë për korrigjimet
Një prej pikave më të rëndësishme të projektligjit është se fatura e anëtarësimit nuk trajtohet si një pagesë statike.
Ministria e Financave duhet të përfshijë në dokumentet buxhetore vlerën e parashikuar të kontributit, por edhe hapësirat fiskale për korrigjimet e mundshme dhe detyrimet që mund të lindin nga rishikimet statistikore, metodologjike apo financiare.
Kjo nënkupton se buxheti i shtetit duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për pagesën e planifikuar, por edhe për një faturë më të lartë nëse të dhënat e raportuara ndryshojnë.
Në rast se detyrimet ndaj BE-së nuk vihen në dispozicion në afat, projektligji parashikon aplikimin e interesave të vonesës dhe detyrimeve të tjera financiare sipas rregullave evropiane.
Ministria e Financave do të menaxhojë faturën
Në strukturën e re, Ministria e Financave do të jetë Autoriteti Kombëtar Koordinues.
Ajo do të mbledhë dhe konsolidojë të dhënat nga institucionet e tjera, do të kryejë përllogaritjet, do të përgatisë raportimet për Komisionin Evropian dhe do të sigurojë që fondet për kontributin të jenë të disponueshme në kohë.
Projektligji parashikon edhe krijimin e një Koordinatori Kombëtar për Burimet e Veta të BE-së, si një strukturë teknike pranë Ministrisë së Financave.
Në nivel politik do të funksionojë Komiteti Kombëtar për Kontributin Kombëtar në BE, i kryesuar nga ministri i Financave.
Doganat, TVSH-ja dhe AKB-ja bëhen pjesë e faturës
Për të llogaritur faturën, shteti do të duhet të ndërtojë një zinxhir të plotë të dhënash.
Administrata Doganore do të jetë përgjegjëse për Burimet Tradicionale të Veta, duke administruar dhe raportuar detyrimet doganore dhe duke mbajtur Llogaritë “A” dhe “B”.
Administrata Tatimore do të sigurojë të dhënat për bazën e harmonizuar të TVSH-së dhe do të jetë përgjegjëse për cilësinë, plotësinë dhe gjurmueshmërinë e tyre.
Ndërsa INSTAT do të ketë një rol kyç në komponentin e AKB-së. Instituti duhet të prodhojë të ardhurat kombëtare bruto sipas metodologjisë ESA 2010, të hartojë Inventarin Kombëtar të AKB-së dhe të transmetojë të dhënat në Eurostat.
Në këtë mënyrë, statistikat kombëtare marrin një peshë të drejtpërdrejtë në financat publike, pasi ndryshimet në të dhënat e AKB-së mund të ndikojnë edhe në detyrimin financiar ndaj BE-së.
Edhe plastika hyn në faturën europiane
Një komponent i veçantë është ai që lidhet me mbetjet e paketimeve plastike të pa ricikluara.
Ministria përgjegjëse për mjedisin do të duhet të masë gjenerimin, riciklimin dhe trajtimin e këtyre mbetjeve dhe t’i raportojë të dhënat te Ministria e Financave dhe INSTAT.
Kjo do të thotë se politika mjedisore nuk do të jetë më vetëm një çështje ekologjike. Ajo do të ketë edhe një dimension të drejtpërdrejtë financiar në marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në.
Sa më i besueshëm të jetë sistemi i matjes dhe sa më e lartë të jetë norma e riciklimit, aq më e saktë do të jetë edhe baza mbi të cilën llogaritet ky komponent i kontributit.
Shqipëria do të ketë 24 muaj për t’u përgatitur
Edhe pse detyrimi financiar për të vënë në dispozicion Burimet e Veta do të zbatohet nga data e anëtarësimit, përgatitja institucionale nis shumë më herët.
Projektligji u jep institucioneve 24 muaj nga hyrja në fuqi për të siguruar ngritjen dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse, zhvillimin e sistemeve të informacionit, krijimin e Bazës Kombëtare të të Dhënave, miratimin e procedurave dhe trajnimin e personelit.
Pra, Shqipëria duhet të jetë gati për faturën përpara se ajo të mbërrijë.
Një bazë e vetme për të gjitha të dhënat
Projektligji parashikon krijimin e Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të BE-së.
Në këtë sistem do të konsolidohen të dhënat doganore, TVSH-ja, AKB-ja, mbetjet plastike, dokumentacioni metodologjik, metadatat dhe gjurma e auditimit.
Kjo është një nga hallkat më të rëndësishme të mekanizmit, pasi çdo shifër që përdoret për faturën e anëtarësimit duhet të jetë e dokumentuar, e verifikueshme dhe e gjurmueshme.
Institucionet do të duhet t’i ruajnë këto të dhëna dhe dokumente për një periudhë deri në 10 vjet.
BE-ja do të kontrollojë edhe shifrat
Pas anëtarësimit, procesi nuk do të përfundojë me dërgimin e pagesës.
Projektligji parashikon që të dhënat, dokumentacioni dhe proceset që lidhen me Burimet e Veta t’i nënshtrohen verifikimeve dhe auditimeve nga institucionet kompetente të BE-së, përfshirë Komisionin Evropian, Eurostat-in dhe Gjykatën Evropiane të Audituesve.
Nëse kontrollet zbulojnë pasaktësi, mangësi ose mospërputhje, institucionet shqiptare do të duhet të ndërmarrin masa korrigjuese.
Madje, projektligji parashikon përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose penale kur shkeljet shkaktojnë ose mund të shkaktojnë pasoja financiare për Shqipërinë apo cenojnë përmbushjen e detyrimeve evropiane.
Fatura nuk është vetëm një pagesë, por një test i shtetit
Projektligji e zhvendos diskutimin për koston e anëtarësimit nga një shifër e vetme drejt një mekanizmi të tërë financiar.
Fatura do të ndërtohet nga doganat, TVSH-ja, madhësia e ekonomisë dhe të dhënat për mbetjet plastike. Ajo do të planifikohet në buxhet, do të korrigjohet kur të ndryshojnë të dhënat dhe do t’i nënshtrohet verifikimit evropian./ekofin.al
