Innovation4Albania (I4A), agjencia shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka shpallur rezultatet e Programit të Financimit Grant 2026, ku fondi i vënë në dispozicion për startup-et dhe ekosistemin e inovacionit arrin në 600 milionë lekë.
Buxheti i programit është dyfishuar krahasuar me nivelin prej 300 milionë lekësh, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe numri i startup-eve përfituese. Sipas të dhënave të publikuara nga I4A, këtë vit janë përzgjedhur për financim 163 startup-e, nga 81 që përfituan në vitin 2025.
Interesi për thirrjen ka qenë dukshëm më i lartë se numri i financimeve të disponueshme. Në total janë paraqitur 1,179 aplikime nga startup-e, çka do të thotë se rreth 13.8% e aplikantëve janë përzgjedhur për financim, ose afërsisht një në shtatë aplikime.
Programi këtë vit ka një shtrirje më të gjerë territoriale, me startup-e përfituese nga të gjitha qarqet e vendit. Megjithëse Tirana vijon të jetë qendra kryesore e aktivitetit të startup-eve, është rritur përfaqësimi i qyteteve të tjera.
Vlora numëron tetë startup-e të financuara, ndërsa Shkodra shtatë. Për herë të parë në listën e financimeve përfshihen edhe qarqet e Beratit dhe Kukësit.
Projektet e përzgjedhura shtrihen në disa sektorë, mes të cilëve Teknologjia e Informacionit, Inteligjenca Artificiale, mjedisi, energjia, agribiznesi, turizmi dhe zgjidhjet digjitale.
Një pjesë e përfituesve kanë gjithashtu lidhje me diasporën shqiptare. Sipas I4A, 18 themelues jetojnë jashtë vendit, në qytete si Mynihu, San Francisko, Vjena, Londra, Mançesteri dhe Roma.
Programi i këtij viti nuk kufizohet vetëm te financimi i drejtpërdrejtë i startup-eve. Për herë të parë janë përzgjedhur edhe tetë organizata lehtësuese të ekosistemit, nga 40 aplikime të paraqitura. Këto organizata do të angazhohen në ofrimin e mbështetjes teknike, rrjetëzimit dhe ekspertizës sektoriale, përfshirë fusha si Inteligjenca Artificiale dhe ekonomia e gjelbër dhe digjitale.
Dyfishimi i fondit dhe rritja nga 81 në 163 startup-e të financuara e zgjerojnë ndjeshëm ndërhyrjen e shtetit në këtë segment. /ekofin.al
