Shqipëria ishte në vitin 2025 vendi i tretë jashtë Bashkimit Evropian me numrin më të lartë të çështjeve ku u përfshi Eurojust, agjencia e BE-së për bashkëpunimin gjyqësor. Me 121 çështje, vendi ynë u rendit pas Zvicrës me 275 dhe Mbretërisë së Bashkuar me 244, duke lënë pas Ukrainën me 101 dhe Serbinë me 94 raste.
Shqipëria rezulton njëkohësisht e para në Ballkanin Perëndimor. Pas saj renditen Serbia me 94 çështje, Maqedonia e Veriut me 31, Mali i Zi me 27 dhe Bosnjë-Hercegovina me 11. Eurojust sqaron se rreth 20% e çështjeve të reja që regjistrohen çdo vit përfshijnë një vend jashtë BE-së.
Numri i lartë i çështjeve nuk duhet lexuar si tregues i drejtpërdrejtë i kriminalitetit në Shqipëri. Ai pasqyron çështje ndërkufitare ku autoritetet shqiptare përfshihen në bashkëpunimin gjyqësor me vendet e BE-së. Vetë Eurojust vëren se në krye të listës janë zakonisht vendet që kanë marrëdhënie më të avancuara bashkëpunimi dhe mundësi për shkëmbim sistematik të të dhënave.
Shqipëria është mes vetëm 13 vendeve jashtë BE-së që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, e cila mundëson shkëmbimin sistematik të informacionit operacional, përfshirë prova dhe të dhëna personale. Vendi është gjithashtu mes 12 shteteve jashtë BE-së që kanë prokuror ndërlidhës pranë Eurojust, për të ndihmuar drejtpërdrejt hetimet dhe procedurat penale ndërkufitare.
Në total, 12 prokurorët ndërlidhës pranë Eurojust hapën 381 çështje të reja gjatë vitit 2025 dhe kishin 814 çështje të mbartura nga vitet e mëparshme. /ekofin.al

