Rrugët shqiptare që bëjnë pjesë në rrjetin kryesor trans-evropian të transportit do të duhet të plotësojnë standarde dukshëm më të larta infrastrukturore deri në fund të vitit 2030, përfshirë karrexhata të ndara sipas drejtimeve dhe eliminimin e kryqëzimeve në nivel me rrugët e tjera, hekurudhat, tramvajet, shtigjet e biçikletave dhe ato të këmbësorëve.
Kërkesat përcaktohen në rregulloren e re “Për udhëzimet e Bashkimit Evropian për zhvillimin e rrjetit trans-evropian të transportit”, të miratuar me urdhrin nr. 152 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të botuar më 27 gusht në Fletoren Zyrtare.
Sipas rregullores, infrastruktura rrugore e rrjetit kryesor duhet t’i plotësojë këto standarde deri më 31 dhjetor 2030, ndërsa për rrjetin kryesor të zgjeruar afati shtyhet deri më 31 dhjetor 2040.
Rrugët duhet të jenë projektuar, ndërtuar ose përmirësuar posaçërisht për trafikun e mjeteve motorike. Ato duhet të kenë, përveç rasteve të veçanta ose të përkohshme, karrexhata të ndara për dy drejtimet e trafikut, me brez ndarës ose një zgjidhje tjetër që garanton nivel të barabartë sigurie.
Strategjia kërkon që rrugët e këtij rrjeti të mos kryqëzohen në nivel me asnjë rrugë tjetër, linjë hekurudhore ose tramvaji, shteg biçikletash apo shteg këmbësorësh. Në praktikë, kjo nënkupton përdorimin e nyjeve në disnivel, mbikalimeve ose nënkalimeve në akset që duhet të përmbushin standardin.
Gjithashtu, deri më 31 dhjetor 2040, përgjatë rrugëve të rrjetit kryesor dhe atij kryesor të zgjeruar duhet të ketë zona pushimi në një distancë maksimale prej 60 kilometrash nga njëra-tjetra. Këto zona duhet të sigurojnë parkim të mjaftueshëm dhe të sigurt dhe ambiente të përshtatshme, përfshirë shërbimet sanitare.
Veç tyre parashikohet zhvillimi i zonave të sigurta dhe të mbrojtura të parkimit për automjetet tregtare. Ato duhet të ndodhen përgjatë rrjetit ose jo më larg se 3 kilometra nga dalja më e afërt e rrugës TEN-T, me një distancë mesatare maksimale prej 150 kilometrash ndërmjet dy zonave të tilla.
Rregullorja parashikon mundësinë e përjashtimeve në raste të justifikuara, ndër të tjera për rrugë me dendësi trafiku jo më të lartë se 10 mijë mjete në ditë në të dy drejtimet, për kufizime të rëndësishme gjeografike ose fizike, rezultate negative të analizës kosto-përfitim apo ndikime të konsiderueshme në mjedis dhe biodiversitet. /ekofin.al
