Një filxhan kafe në Qytetin e Vjetër të Damaskut u bë simboli i zgjedhur nga Siria për rikthimin e saj në ekonominë globale.
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, i shoqëruar nga guvernatori i Bankës Qendrore, Mohammed Safwat Raslan, përdori një kartë Visa në një kafene, në një video të publikuar nga një llogari zyrtare qeveritare, për të shënuar vendimin e Uashingtonit për ta hequr Sirinë nga lista e zezë e terrorizmit.
“Për më shumë se 15 vjet, ky transaksion i thjeshtë ishte i pamundur”, thuhej në postimin shoqërues.
Raslan e cilësoi heqjen nga lista si “një hap historik që e rikthen vendin në pozicionin e tij natyror në sistemin ekonomik global”.
Cilat sanksione u hoqën?
Departamenti Amerikan i Shtetit hoqi të hënën përcaktimin e Sirisë si shtet sponsorizues të terrorizmit, duke i dhënë fund një klasifikimi që kishte qenë në fuqi që nga viti 1979.
Vendimi hyri në fuqi pas një periudhe 45-ditore shqyrtimi nga Kongresi, e cila u aktivizua pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar ligjvënësve në korrik.
Vendimi u shoqërua edhe me heqjen e Hayat Tahrir al-Sham, ish-grupit paraushtarak që udhëhoqi ofensivën që çoi në rrëzimin e regjimit të al-Assadit në Siri, nga lista e posaçme e terroristëve globalë.
Shumica e sanksioneve amerikane ishin hequr më parë. Programi gjithëpërfshirës i sanksioneve u përfundua në mesin e vitit 2025, ndërsa Kongresi shfuqizoi Aktin Caesar — regjimin më të ashpër të sanksioneve dytësore — në një ligj për financimin e mbrojtjes të miratuar në dhjetor 2025.
Megjithatë, përcaktimi si shtet sponsorizues i terrorizmit përfshinte kufizime mbi transaksionet financiare, të cilat vazhdonin të frenonin bankat dhe investitorët.
Departamenti Amerikan i Thesarit ka konfirmuar që atëherë se institucionet financiare amerikane mund t’u ofrojnë shërbime klientëve sirianë, të përpunojnë pagesa që përfshijnë banka siriane dhe të krijojnë marrëdhënie bankare korrespondente.
Ky veprim “do të ndihmojë në nxitjen e investimeve të mëtejshme në Siri për të promovuar stabilitetin politik dhe ekonomik”, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
Heqja nga lista përbën “në mënyrë efektive, një dritë jeshile” për investimet në rindërtim, sipas Tellimer, një kompani kërkimore me bazë në Dubai që merret me tregjet në zhvillim. Sipas saj, sektorët bankar, teknologjik dhe i telekomunikacionit pritet të përfitojnë më shumë nga rikthimi i aksesit në SWIFT.
Megjithatë, masat mbeten në fuqi ndaj bashkëpunëtorëve të diktatorit të rrëzuar Bashar al-Assad, personave përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut dhe trafikantëve të kaptagonit. Siria mbetet gjithashtu në listën gri të Task-Forcës së Veprimit Financiar të G7-s, për shkak të shqetësimeve mbi pastrimin e parave.
Cili është qëndrimi i BE-së?
Bashkimi Evropian ka vepruar në të njëjtin drejtim me Shtetet e Bashkuara sa i përket heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë.
Këshilli Evropian hoqi të gjitha sanksionet ekonomike në maj 2025, duke mbajtur në fuqi vetëm ato të vendosura për arsye sigurie, përfshirë kufizimet për armët dhe teknologjitë që mund të përdoren për represionin e brendshëm të popullsisë.
BE-ja shkoi edhe më tej këtë vit.
Më 11 maj, Këshilli i Bashkimit Evropian riktheu zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit BE–Siri, e cila ishte pezulluar pjesërisht që nga viti 2011, dhe zhvilloi dialogun e parë politik të nivelit të lartë me Damaskun që nga periudha para luftës civile.
Një javë më vonë, Këshilli rinovoi masat ndaj figurave të lidhura me regjimin e mëparshëm deri në qershor 2027, ndërsa hoqi nga lista shtatë subjekte, mes tyre ministritë e Brendshme dhe të Mbrojtjes, të cilat tashmë drejtohen nga autoritetet kalimtare. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
