Më pak se tei vite pasi Shkolla e Mesme e Bashkuar në Bularat iu nënshtrua një rikonstruksioni të promovuar publikisht nga dy ministre të Arsimit, Bashkia Dropull ka vendosur të rikthejë sërish paratë publike në të njëjtin kompleks shkollor. Këtë herë fatura është edhe më e lartë: 85 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 914 mijë euro, për ndërtimin e një palestre multifunksionale dhe rehabilitimin e terreneve sportive.
Procedura e re ngre pikëpyetje jo vetëm për përmasën e investimit në raport me numrin e nxënësve, por edhe për faktin se një pjesë e objektit të tenderit lidhet pikërisht me terrenet sportive që vetëm pak vite më parë u rehabilituan dhe u prezantuan publikisht si pjesë e një shkolle të rindërtuar me standarde të reja.
Historia nis në fillim të mandatit të kryetarit të Bashkisë Dropull, Dhimitraq Toli. Shkolla e Mesme e Bashkuar Bularat iu nënshtrua rikonstruksionit së bashku me kopshtin dhe ambientet e saj. Sipas tabelës së punimeve të vendosur në objekt, të cilën e disponon ekofin.al (foto më lart), kontrata kishte një vlerë prej 53.945.123 lekësh pa TVSH, sipërmarrëse ishte kompania “Gjikuria”, ndërsa mbikëqyrja kryhej nga “Zeta Konsult”. Punimet kishin nisur në dhjetor 2022 dhe afati i përcaktuar ishte gjashtë muaj.
Investimi mori edhe vëmendje politike. Në korrik 2023, ministrja e atëhershme e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, inspektoi punimet së bashku me kryebashkiakun Dhimitraq Toli. Në njoftimin e publikuar në atë kohë thuhej se shkolla pritej të përfundonte në shtator dhe se do të mirëpriste 100 nxënës dhe 15 mësues.
Pak muaj më vonë, në nëntor 2023, pasuesja e Kushit në Ministrinë e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e promovoi publikisht investimin si një shkollë të rindërtuar “me standardet më të mira”. Në postimin e saj shfaqeshin jo vetëm klasat e rikonstruktuara, por edhe terrenet sportive të përfunduara.
Fotografitë e asaj kohe, që i risjell edhe njëherë ekofin.al, tregojnë një fushë sportive të sistemuar, ndërsa pamjet ajrore të publikuara nga vetë ministrja tregojnë disa ambiente sportive të rehabilituara. Pra, vetëm në fund të vitit 2023, investimi paraqitej publikisht si i përfunduar dhe terrenet sportive si një prej elementeve të modernizimit të shkollës.
Por pa u mbushur ende tri vite nga ky promovim, Bashkia Dropull po tenderon sërish ndërhyrje në terrenet sportive.
Sipas njoftimit të ri të kontratës, Bashkia Dropull ka hapur procedurën me objekt “Ndërtim i palestrës multifunksionale, rehabilitimi i terreneve sportive në Shkollën e Mesme të Bashkuar Bularat”, me numër reference REF-96999-08-21-2026.
Fondi limit është përcaktuar në 85.000.109,64 lekë pa TVSH. Financimi është ndarë në dy vite. Për vitin 2026 parashikohen rreth 17 milionë lekë, prej të cilave rreth 14,45 milionë nga buxheti i shtetit dhe 2,55 milionë nga buxheti i Bashkisë. Për vitin 2027 janë parashikuar rreth 68 milionë lekë, nga të cilat 57,8 milionë nga buxheti i shtetit dhe rreth 10,2 milionë nga buxheti vendor.
Afati i zbatimit të kontratës është nëntë muaj, ndërsa ofertat do të hapen më 16 shtator 2026.
Dokumentacioni i projektit tregon se ndërhyrja nuk kufizohet te ndërtimi i palestrës. Objekti i plotë përfshin ndërtimin e palestrës multifunksionale, rehabilitimin e terreneve sportive të jashtme dhe instalimin e sistemit fotovoltaik në Shkollën e Mesme të Bashkuar Bularat dhe kopshtin Bularat.
Pikërisht këtu lind pyetja që Bashkia Dropull duhet t’ia shpjegojë publikut: përse terrenet sportive që në nëntor 2023 promovoheshin si të përfunduara dhe moderne kanë nevojë për një tjetër rehabilitim pa kaluar ende tri vite?
Nëse ndërhyrja e mëparshme ishte cilësore dhe investimi u realizua sipas standardeve të reklamuara, përse duhet një financim i ri për rehabilitimin e tyre? Nëse ndërhyrja e re është krejtësisht e ndryshme nga ajo e vitit 2023, atëherë Bashkia duhet të bëjë transparente se cilat sipërfaqe janë rehabilituar më parë, cilat do të preken tani dhe përse këto punime nuk mund të parashikoheshin në projektin fillestar.
Ka edhe një tjetër element që e bën debatin mbi eficiencën e përdorimit të parave publike të pashmangshëm: numri i nxënësve.
Vetë ministrja Evis Kushi deklaronte në vitin 2023 se shkolla do të mirëpriste 100 nxënës. Për një institucion me këto përmasa, vetëm investimi i parë prej rreth 54 milionë lekësh dhe fondi limit i procedurës së re prej 85 milionë lekësh çojnë në rreth 139 milionë lekë pa TVSH të angazhuara në dy ndërhyrje, pa përfshirë këtu nëse ka pasur apo jo investime të tjera.
Kjo është një shumë që kërkon së paku një argumentim të fortë mbi proporcionalitetin mes kostos, numrit të përfituesve dhe nevojës reale për ndërhyrje të përsëritura.
Sigurisht, fakti që një shkollë ka pak nxënës nuk do të thotë se ata duhet të kenë infrastruktura më të dobëta. Fëmijët në zonat rurale kanë të njëjtën të drejtë për shkolla dhe ambiente sportive cilësore si ata në qytetet e mëdha. Por pikërisht sepse bëhet fjalë për para publike, standardi duhet të shoqërohet edhe me eficiencë, planifikim dhe llogaridhënie.
Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur shihet situata e infrastrukturës arsimore në Tiranë, ku presioni demografik dhe numri i nxënësve mbeten shumë më të lartë dhe ku shumë familje zgjedhin ose detyrohen t’i drejtohen arsimit privat, duke përballuar kosto të konsiderueshme nga buxheti familjar.
Në Dropull, ndërkohë, një shkollë e rikonstruktuar vetëm tre vite më parë po bëhet sërish objekt i një investimi publik me fond limit 85 milionë lekë.
Koha e tenderit ka gjithashtu simbolikën e saj politike. Dhimitraq Toli po i afrohet fundit të mandatit aktual si kryetar i Bashkisë Dropull, ndërsa procedura parashikon financim që shtrihet edhe në vitin 2027.
Në fund, problemi nuk është nëse Bularati duhet të ketë apo jo palestër. Sigurisht që një shkollë meriton kushte sa më të mira. Pyetja është sa herë duhet të paguajnë taksapaguesit për të njëjtat ambiente dhe sa bindshëm justifikohet një tjetër investim prej afro 1 milion eurosh në një kompleks shkollor që vetëm tre vite më parë u inaugurua dhe u reklamua si i rindërtuar, modern dhe me terrene sportive të rehabilituara.
Kjo është pyetja që, përpara se të shpallet fituesi i tenderit të ri, Bashkia Dropull duhet t’i përgjigjet qytetarëve. /ekofin.al











