Greqia është shndërruar në vendin më miqësor ndaj parasë fizike në Eurozonë, pasi të dhënat e reja të Bankës Qendrore Evropiane tregojnë se 99% e bizneseve greke pranonin pagesa me para në dorë në vitin 2026. Kjo është norma më e lartë në bllokun monetar, e barabartë vetëm me Italinë ndër 21 vendet që përdorin euron.
Të dhënat vijnë nga anketa më e fundit e BQE-së mbi mënyrën se si kompanitë trajtojnë pagesat cash. Studiuesit zhvilluan intervista telefonike me më shumë se 8,200 biznese nga shkurti deri në prill 2026.
Në Greqi, shitësit me pakicë raportuan një normë perfekte prej 100% të pranimit të cash-it, rezultat që e ndan vetëm me Slloveninë, sipas anketës.
Rezultatet e vendosin Greqinë dukshëm mbi mesataren e eurozonës, ku pranimi i pagesave me para në dorë u rrit në 92% në vitin 2026, nga 90% një vit më parë. Sipas studiuesve, kjo rritje sugjeron se rënia e pranimit të cash-it, e nisur gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19, është ndalur.
Greqia kryeson për pranimin e cash-it, por mbeten pikëpyetje për të ardhmen
Megjithatë, anketa evidenton një kontrast në Greqi. Pavarësisht renditjes në vendin e parë, 23% e bizneseve greke deklaruan se nuk ishin të sigurta nëse do të vazhdonin të pranonin para në dorë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Pasiguria ishte shumë më e lartë në Qipro, ku 51% e bizneseve vunë në dyshim përdorimin e cash-it në të ardhmen. Qipro regjistroi gjithashtu normën më të ulët të pranimit të parasë fizike në eurozonë, me 76%, ndërsa Belgjika pasoi me 81%.
Përtej cash-it, edhe mënyrat e tjera të pagesës u zgjeruan në eurozonë. Pagesat me kartë pranoheshin nga 88% e kompanive, nga 87% në vitin 2024.
Rritja më e fortë u regjistrua te pagesat me celular, pranimi i të cilave pothuajse u dyfishua, nga 36% e bizneseve në vitin 2024 në 68% në vitin 2026. Sipas anketës, format më të përdorura ishin pagesat e menjëhershme dhe kuletat digjitale.
Diferencat mes sektorëve vijojnë
Kompanitë që kishin ndaluar pranimin e cash-it dhanë dy arsye kryesore. 36% thanë se klientët e tyre thjesht nuk përdornin mjaftueshëm para në dorë, ndërsa 35% deklaruan se tërheqja ose depozitimi i cash-it në banka ishte bërë tepër i papërshtatshëm.
Përdorimi i cash-it ndryshonte edhe sipas sektorëve. Dyqanet e shitjes me pakicë, restorantet dhe hotelet raportuan normën më të lartë të pranimit, me 93% në total.
Sektori i artit, argëtimit dhe aktiviteteve rekreative mbeti më pas, me 84%, megjithëse edhe kjo normë ishte rritur krahasuar me vitin 2024.
BQE e zhvillon këtë anketë periodikisht që prej vitit 2021, për të monitoruar mënyrën se si bizneset në eurozonë e shohin paranë fizike në raport me alternativat digjitale të pagesave. Sipas studiuesve, synimi është që cash-i të mbetet një mënyrë pagese e përdorshme dhe e pranuar në të gjithë eurozonën./Përshtati nga Greek Reporter, ekofin.al
