Borxhi i SHBA-së kapërceu pragun e 40 trilionë dollarëve, pasi u rrit me 1 trilion dollarë në vetëm pesë muaj. Shuma totale është e barabartë me atë që një punonjësi mesatar amerikan do t’i duheshin plot 615 milionë vjet për ta fituar.
Borxhi kombëtar bruto i Shteteve të Bashkuara arriti zyrtarisht për herë të parë në histori në 40 trilionë dollarë këtë javë, sipas Departamentit amerikan të Thesarit.
Kjo ndodh ndërsa qeveria vazhdon të shpenzojë më shumë sesa mbledh në të ardhura, përfshirë shpenzimet për mbrojtjen, Social Security dhe interesat e borxhit. Vetëm këto të fundit tashmë i kushtojnë qeverisë më shumë se 1 trilion dollarë në vit.
Ky rekord u arrit në një kohë kur yield-et e bonove afatgjata të Thesarit amerikan prekën në fillim të javës nivelet më të larta shumëvjeçare, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për inflacionin, tensionet globale dhe borxhin gjithnjë e më të madh të vendit.
Sa më shumë interesa paguan një vend, aq më shpejt rritet borxhi i tij. Borxhi kombëtar amerikan është zgjeruar pasi SHBA-ja merr hua për të mbuluar deficitet e përsëritura buxhetore. Kostot më të larta të interesit shtojnë shpenzimet, duke kërkuar huamarrje të mëtejshme dhe duke krijuar rrezikun e një cikli vicioz të rritjes së borxhit.

Interesat paguhen nga të ardhurat federale, kryesisht nga taksat. Kur të ardhurat nuk mjaftojnë, qeveria merr hua të tjera, duke ia kaluar një pjesë të kostos buxheteve dhe taksapaguesve të ardhshëm.
“Bazuar në pagat mesatare, një punonjësi amerikan do t’i duheshin më shumë se 615 milionë vjet për të fituar shumën e barabartë me borxhin kombëtar prej 40 trilionë dollarësh, i cili vetë është dyfishuar në një dekadë”, thotë Dan Coatsworth, kreu i tregjeve në AJ Bell.
Maya MacGuineas, presidente e Committee for a Responsible Federal Budget, tha në një deklaratë: “Borxhi prej 40 trilionë dollarësh nuk ekziston vetëm në bilancet e qeverisë; ai ndihet në të gjithë ekonominë dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, përfundon në xhepat e qytetarëve”.
Ajo paralajmëroi se “sa më shumë marrim hua, aq më shumë ushqejmë inflacionin, kufizojmë prioritetet e tjera në buxhet dhe e bëjmë veten më të cenueshëm ndaj emergjencave të brendshme dhe trazirave jashtë vendit”.
1. A ka vërtet SHBA-ja borxhin më të madh në botë?
Po. Në terma absolutë, stoku i borxhit amerikan është shumë më i madh se ai i çdo ekonomie tjetër të madhe.
Megjithatë, SHBA-ja nuk është vendi me barrën më të rëndë të borxhit. Borxhi i jashtëzakonshëm i ekonomisë më të madhe në botë duket më pak alarmues kur shihet në raport me fuqinë e ekonomisë që qëndron pas tij.
Ky raport tregon madhësinë e barrës së borxhit krahasuar me prodhimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe për këtë arsye konsiderohet një tregues më i mirë i pozicionit fiskal sesa vetëm shifra totale e borxhit.

FMN parashikon se borxhi bruto i qeverisë së përgjithshme amerikane do të arrijë në 40.7 trilionë dollarë në vitin 2026, kundrejt një PBB-je nominale prej 32.4 trilionë dollarësh.
Kjo do ta çonte borxhin në 125.8% të PBB-së, nga 103.7% në vitin 2012, duke treguar se gjatë kësaj periudhe borxhi publik është rritur më shpejt se ekonomia.
Të dhënat vijnë nga databaza World Economic Outlook e FMN-së e prillit 2026.
2. Si arriti borxhi amerikan në 40 trilionë dollarë?
Luftërat, recesionet dhe pandemia e COVID-19 e rritën ndjeshëm borxhin amerikan në vitet e fundit. Por së fundmi ritmi i rritjes është përshpejtuar.
Borxhi bruto kishte arritur rekordin e mëparshëm prej 39 trilionë dollarësh në mars 2026, më pak se pesë muaj më parë.
“Borxhi kombëtar bruto është dyfishuar gjatë dhjetë viteve të fundit; në më pak se njëzet vjet është katërfishuar”, tha MacGuineas, duke shtuar se Amerikës iu deshën pothuajse 200 vjet që borxhi bruto të arrinte për herë të parë në 1 trilion dollarë në vitin 1981.
“Në atë kohë, presidenti Reagan i tha kombit në një fjalim televiziv: ‘Nëse ne si komb kishim nevojë për një paralajmërim, ky le të jetë ai’. Duke kaluar në vitin e 250-të të Amerikës, sot ne shpenzojmë më shumë se kaq vetëm për pagesat e interesit të borxhit”, shtoi ajo.

3. Çfarë përfshin realisht shifra 40 trilionë dollarë — dhe kujt i detyrohen paratë?
Shifra prej 40 trilionë dollarësh, e njohur si borxhi federal bruto, përfshin si borxhin që mbahet nga publiku, ashtu edhe borxhin që mbahet nga vetë qeveria, i njohur si borxh ndërqeveritar.
Në të nuk përfshihen borxhet e qeverive shtetërore dhe lokale apo borxhet personale të individëve.
Borxhi i mbajtur nga publiku është pjesa që u detyrohet investitorëve jashtë qeverisë federale, përfshirë individët, bankat, fondet e pensioneve dhe fondet e investimeve, investitorët e huaj, qeveritë shtetërore dhe lokale dhe Rezervën Federale.
Ky është komponenti më i madh i totalit prej 40 trilionë dollarësh dhe arrin në më shumë se 32 trilionë dollarë, sipas Committee for a Responsible Federal Budget.

MacGuineas tha se “borxhi i mbajtur nga publiku së fundmi ka tejkaluar madhësinë e ekonomisë sonë, raporti deficit/PBB është dy herë më i lartë nga sa duhet të ishte dhe kostot e interesit kanë tejkaluar buxhetin kombëtar të mbrojtjes”.
Një element disi qetësues është fakti se pjesa më e madhe e borxhit të qeverisë amerikane mbahet brenda vendit.
Investitorët vendas përfshijnë Rezervën Federale dhe llogaritë qeveritare, bankat amerikane, fondet e pensioneve dhe fondet e investimeve, kompanitë e sigurimeve, qeveritë shtetërore dhe lokale, familjet dhe investitorë të tjerë.
Së bashku, ata zotëronin rreth 76% të borxhit federal në fund të qershorit 2026, sipas Thesarit amerikan.
Investitorët e huaj dhe ndërkombëtarë përbënin grupin e dytë më të madh, me 9.27 trilionë dollarë, ose 24.1%, në qershor 2026.
Japonia zotëronte 1.12 trilionë dollarë në letra me vlerë të Thesarit amerikan në qershor 2026, duke përbërë 12% të zotërimeve të huaja. Vendet jashtë 20 mbajtësve më të mëdhenj të huaj përbënin së bashku 19.9%.
4. Pse qeveria vazhdon të marrë hua?
Qeveria merr hua sepse shpenzon më shumë sesa mbledh.
Deficiti i buxhetit federal parashikohet të arrijë në 1.9 trilionë dollarë në vitin 2026, ose 5.8% të PBB-së.
Megjithatë, një përditësim i gushtit tregon se deficiti kishte arritur tashmë në 1.8 trilionë dollarë gjatë 10 muajve të parë të vitit fiskal 2026, i cili zgjat nga 1 tetori 2025 deri më 30 shtator 2026.
Congressional Budget Office (CBO) pret që shpenzimet federale, përfshirë mbrojtjen, Social Security dhe interesat neto, të arrijnë në rreth 7.4 trilionë dollarë gjatë vitit fiskal 2026, kundrejt të ardhurave prej 5.6 trilionë dollarësh.
Shpenzimet totale përfshijnë 1.67 trilionë dollarë për Social Security, rreth 1.9 trilionë dollarë për programet kryesore të kujdesit shëndetësor, 918 miliardë dollarë për mbrojtjen, 1.04 trilionë dollarë për interesat neto dhe afërsisht 1.9 trilionë dollarë për të gjitha programet e tjera federale.
Kategoria e fundit përfshin mbështetjen e të ardhurave, programet për veteranët, arsimin, transportin, zbatimin e ligjit, administratën publike dhe veprimtari të tjera federale.

5. Sa mund të rritet më tej borxhi amerikan?
CBO paralajmëroi në shkurt 2026 se trajektorja fiskale e SHBA-së është e paqëndrueshme, pasi deficitet e vazhdueshme po rrisin si borxhin, ashtu edhe kostot e interesit.
Kjo do të thotë se qeveria duhet të rrisë taksat, të ulë shpenzimet ose të marrë më shumë hua për të përmbushur detyrimet e saj.
Sipas parashikimit të CBO-së, borxhi federal bruto do të arrijë në rreth 64 trilionë dollarë deri në fund të vitit 2036.
Financimi i këtij borxhi po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm. Këtë javë, shqetësimet për borxhin publik, inflacionin dhe rreziqet gjeopolitike i çuan yield-et afatgjata të bonove të Thesarit në nivelet më të larta të shumë viteve.
Yield-i i bonove 30-vjeçare arriti pothuajse 5.34% të martën, niveli më i lartë që prej vitit 2007, përpara se të binte pasi Thesari zgjeroi programin e riblerjes së obligacioneve.
Shitjet në tregun e obligacioneve kanë rritur tashmë kostot e huamarrjes për kompanitë, ndërsa normat e kredive hipotekore mund të ndjekin të njëjtën prirje nëse yield-et mbeten të larta.

Në periudhë afatgjatë, kostot e larta të huamarrjes po shtojnë faturën që do të përballojë qeveria federale amerikane në të ardhmen. Sipas parashikimeve zyrtare, interesat e borxhit po bëhen një nga zërat më të mëdhenj të shpenzimeve të Uashingtonit.
Rritja e kostove do të përkojë me një rritje relativisht modeste të ekonomisë. CBO pret që rritja reale e PBB-së të jetë mesatarisht 1.8% në vit gjatë periudhës 2027–2036, pas një rritjeje më të fortë në vitin 2026.
Parashikimi më i fundit i FMN-së e vendos rritjen ekonomike të SHBA-së në 2.3% në vitin 2026.
Megjithëse investitorët aktualisht nuk presin që SHBA-ja të mos shlyejë borxhin e saj, Thesari ka zgjeruar riblerjet e obligacioneve afatgjata në kushtet e yield-eve të larta. Masa ka tërhequr kritika nga disa vëzhgues të tregut.
Strategët e JPMorgan, Jay Barry dhe Jason Hunter, i thanë MarketWatch këtë javë se masa trajton vetëm simptomat dhe jo shkakun themelor, që është një deficit buxhetor i barabartë me rreth 6% të PBB-së. Ata vunë gjithashtu në pikëpyetje ndikimin afatgjatë të riblerjeve.
Ata paralajmëruan se, pa një “konsolidim real fiskal”, tregjet mund ta “shohin këtë veprim si të pabesueshëm”.
“Arritja e borxhit kombëtar amerikan në nivele kaq marramendëse do ta përqendrojë vëmendjen te rreziqet e deficitit në ekonominë më të madhe të botës”, tha Coatsworth nga AJ Bell.
Committee for a Responsible Federal Budget bëri thirrje për masa të forta, përfshirë angazhimin për “Asnjë Huamarrje të Re” dhe vendosjen e një objektivi për deficitin në 3% të PBB-së, për të cilin organizata tha se ekziston tashmë mbështetje dypartiake.
MacGuineas tha: “Çfarëdo motivimi që u duhet zyrtarëve tanë të zgjedhur për të ndërmarrë më në fund veprime — qofshin shqetësimet e zgjedhësve të tyre, alarmi i dhënë nga tregjet financiare, konkurrenca nga jashtë apo pasojat e mosveprimit — duhet ta gjejnë shpejt. Askush nuk e di sa rekorde të tjera të tilla mund të përballojë Amerika.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
