“Gjatë javëve të fundit, kemi bërë përparim të rëndësishëm për përmirësimin e pozicionit të Kanadasë, duke synuar të kemi marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në. Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët”, tha Mark Carney.
Kryeministri kanadez Mark Carney është zotuar se do t’u përgjigjet tarifave amerikane duke vendosur tarifa ndaj SHBA-së “dollar për dollar”, pasi negociatat tregtare midis Otavës dhe Uashingtonit dështuan.
Tarifat e reja të larta prej 50%, që prekin rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze, hynë në fuqi të shtunën. Carney tha se “ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin të padrejta, joekonomike dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”.
“Kanadaja do t’u përgjigjet këtyre tarifave dollar për dollar për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”, shtoi Carney në një deklaratë. “Gjatë javëve të fundit, kemi bërë përparim të rëndësishëm për përmirësimin e pozicionit të Kanadasë, duke synuar të kemi marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në. Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët.”
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, tha të premten se “sonte, Kanadaja refuzoi të përfundonte marrëveshjen tregtare sipas kushteve të dakordësuara në fillim të kësaj jave”. Ai shtoi se administrata e Trumpit kishte propozuar “ulje të konsiderueshme të tarifave për çelikun, aluminin, automjetet dhe lëndën drusore”, në këmbim të disa lëshimeve nga Kanadaja.
Njoftimi erdhi pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se SHBA-ja “duhet të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Kanadanë”, ndërsa vlerësoi “marrëdhënien e mirë” me Carney.
Tarifat pritej të hynin në fuqi të mërkurën, por Trumpi i shtyu ato pasi negociatat dukej se po përparonin. Uashingtoni e ka akuzuar Kanadanë për “trajtim diskriminues” ndaj produkteve amerikane të alkoolit, automjeteve dhe produkteve të qumështit, si pjesë të arsyetimit për vendosjen e tarifave.
Otava ka kërkuar lehtësim nga tarifat e vendosura nga Trumpi për çelikun, aluminin dhe automjetet, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë kanadeze, kanë shkaktuar humbje vendesh pune dhe kanë tensionuar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Ryan Majerus, ish-zyrtar i Departamentit Amerikan të Tregtisë, tha për AFP: “Nëse Kanadaja ka rënë dakord të vendosë gjithashtu tarifa hakmarrëse, atëherë ulja e tensioneve do të bëhet shumë më e vështirë.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
