Rritja e fortë e yield-eve të obligacioneve europiane po fillon të reflektohet në kostot e kredive për familjet, ndërsa në një horizont më të gjatë pritet të rëndojë edhe faturën e interesave të qeverive. Efekti më i shpejtë po shihet te kreditë hipotekore në Gjermani dhe Itali, ndërsa Franca, ku yield-i 10-vjeçar ka arritur nivelin më të lartë në 17 vjet, ende nuk ka parë një kalim të plotë të këtij presioni te normat e kredive.
Yield-i i obligacionit 10-vjeçar francez qëndroi mbi 4.10%, më i larti në eurozonë, ndërsa ai italian ishte rreth 4.06%, spanjolli 3.69% dhe Bund-i gjerman pak mbi 3.25%. Në Gjermani, yield-i 10-vjeçar është rritur nga rreth 2.85% më 26 qershor në 3.26% më 20 gusht, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun e kredive për banesa.
Interhyp pret që norma mesatare për një kredi hipotekore me interes fiks për 20 vjet në Gjermani, aktualisht rreth 4.32%, të rritet me 7 pikë bazë brenda një jave. Disa banka i kanë rritur tashmë normat, ndërsa ofertat me kushtet e mëparshme në disa raste mbeten të vlefshme vetëm për dy ose tri ditë.
Në Itali, norma mesatare për kreditë hipotekore fikse 20-vjeçare ishte 3.50%, ndërsa disa banka më të vogla kanë nisur rritjen e interesave që në fillim të gushtit. Nëse normat e tregut mbeten të larta, mesatarja mund të kalojë mbi 3.5% brenda javëve të ardhshme. Në Francë, ndërkohë, kreditë 20-vjeçare kushtojnë rreth 3%-3.5%, pa një ndikim të dukshëm deri tani nga rritja e yield-eve shtetërore.
Shkaku kryesor i tensionit në tregjet e obligacioneve është rritja e pritshmërive për inflacionin dhe për norma më të larta interesi nga Banka Qendrore Europiane. Çmimi europian i gazit natyror është më shumë se dyfishuar këtë vit: kontratat holandeze TTF u rritën nga 29 euro në 63.80 euro për MWh nga fillimi i vitit deri më 20 gusht. Tregjet po llogarisin tashmë një probabilitet më të lartë për rritje të tjera të normave nga BQE-ja.
Për qeveritë, goditja do të jetë më graduale, pasi obligacionet ekzistuese vazhdojnë të paguajnë interesin e vjetër deri në maturim. Por sa më gjatë të qëndrojnë yield-et në nivele të larta, aq më shumë borxh do të duhet të rifinancohet me interesa më të shtrenjta. Nevojat vjetore bruto për financim vlerësohen rreth 24% e PBB-së në Itali, 21% në Francë dhe 15% në Gjermani dhe Spanjë. Franca pritet të përballet me rritjen më të fortë të barrës, me faturën e interesave që parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2031.
Kjo nuk nënkupton automatikisht rritje taksash, por një pjesë më e madhe e të ardhurave publike do të duhet të përdoret për shërbimin e borxhit, duke lënë më pak hapësirë për investime, shërbime publike, përfitime sociale ose ulje taksash./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
