Danimarka do të hapë më 1 nëntor 2026 ambasadën e saj në Tiranë, duke shënuar një etapë të re në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe një forcim të pranisë daneze në Ballkan.
Ambasada e re do të synojë forcimin e bashkëpunimit diplomatik dhe marrëdhënieve dypalëshe mes Danimarkës dhe Shqipërisë, ndërsa një nga objektivat e saj do të jetë edhe mbështetja e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Përfaqësia diplomatike në Tiranë do të jetë gjithashtu e akredituar edhe në Kosovë.
Në prag të hapjes zyrtare, Ambasada Mbretërore Daneze ka nisur ngritjen e ekipit të saj në Shqipëri dhe ka shpallur disa vende të lira pune për stafin lokal.
Një prej pozicioneve është ai i këshilltarit politik, i cili do të ketë si detyrë kryesore përgatitjen e analizave mbi zhvillimet politike të brendshme në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe mbi çështjet e politikës së jashtme, përfshirë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Këshilltari do të monitorojë zhvillimet politike, ligjore dhe socio-ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë, do të kryejë analiza dhe kërkime mbi proceset dhe politikat në rajon dhe do të ndjekë tendencat politike, sociale dhe ekonomike. Pjesë e punës do të jetë edhe raportimi nga takimet në emër të ambasadës, krijimi i kontakteve me partnerë dhe organizata ndërkombëtare, përgatitja e vizitave të zyrtarëve danezë dhe monitorimi i medias lokale e rajonale.
Për këtë pozicion kërkohet diplomë Master në një fushë të përshtatshme, si shkenca politike apo sociale, drejtësi ose histori, njohuri të mira mbi çështjet e Bashkimit Europian dhe përvojë në marrëdhëniet me jashtë. Kandidatët duhet të zotërojnë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe të kenë njohuri të mira të anglishtes së folur dhe të shkruar.
Ambasada kërkon gjithashtu dy punonjës për ekipin administrativ, të cilët do të angazhohen në detyra administrative dhe sekretarie që lidhen me funksionimin e përditshëm të përfaqësisë diplomatike.
Detyrat përfshijnë aktivitetet konsullore, përfshirë vizat dhe pasaportat, organizimin e takimeve dhe eventeve, asistencën gjatë vizitave zyrtare, menaxhimin e veprimtarive administrative dhe operacionale, si dhe komunikimin me autoritetet shqiptare dhe kosovare. Punonjësit do të merren gjithashtu me kontabilitet të thjeshtë, pagesa lokale, rimbursimin e TVSH-së dhe, sipas nevojës, me aktivitete të diplomacisë publike dhe komunikimit në rrjetet sociale.
Një tjetër pozicion i shpallur është ai i asistentit/es personal/e të ambasadorit. Personi i përzgjedhur do të punojë drejtpërdrejt me ambasadorin dhe njëkohësisht do të shërbejë si oficer administrativ në ambasadë.
Detyrat për këtë pozicion përfshijnë organizimin e axhendës dhe takimeve të ambasadorit, eventeve dhe vizitave zyrtare, punë administrative dhe menaxheriale, pritjen dhe komunikimin me ministritë, institucionet dhe autoritetet publike, çështjet e protokollit dhe përkthimin. Edhe ky pozicion mund të përfshihet në aktivitetet e diplomacisë publike dhe komunikimit të ambasadës.
Për pozicionet administrative dhe atë të asistentit të ambasadorit kërkohet diplomë Bachelor ose kualifikim i ngjashëm profesional dhe/ose eksperiencë pune relevante, njohje shumë e mirë e shqipes dhe anglishtes, aftësi për të punuar në një mjedis ndërkulturor, si dhe njohuri të mira në teknologjinë e informacionit dhe paketën MS Office. Njohja e gjuhës daneze konsiderohet avantazh për pozicionet e ekipit administrativ, por nuk është kusht.
Afati i fundit për aplikimet për të gjitha pozicionet është 7 shtator 2026, ora 14:00. Kandidatët duhet të dërgojnë në anglisht letrën e motivimit, CV-në, dokumentet që dëshmojnë arsimimin përkatës, si dhe rekomandimet apo referencat.
Sipas njoftimeve, kandidatët e përzgjedhur në listën e shkurtër pritet të intervistohen gjatë muajit shtator në Tiranë. Punësimi parashikohet të nisë më 1 janar 2027, në varësi të përfundimit të kontrollit të sigurisë nga autoritetet daneze. Për pozicionin e asistentit personal të ambasadorit parashikohet mundësia që një pjesë e punësimit me kontratë të përkohshme të nisë që më 1 nëntor 2026.
Ambasada e re e Danimarkës do të vendoset në Rrugën “Nikolla Tupe”, nr. 1, kati 4, apartamenti 4, Tiranë. Hapja e përfaqësisë diplomatike synon të forcojë praninë daneze në Shqipëri dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, në një periudhë kur procesi i integrimit europian të Shqipërisë po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive.

