Pronarët e shtëpive të vjetra, të ndërtuara para vitit 1991, mund të regjistrojnë tashmë përmes portalit e-Albania vendimin për kalimin në pronësi të banesës, oborrit në përdorim apo truallit funksional, duke u pajisur në këtë mënyrë me dokumentacionin e plotë të pronësisë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bërë të ditur procedurën që duhet të ndiqet nga qytetarët për regjistrimin e këtyre akteve, proces që mund të kryhet online pa qenë e nevojshme paraqitja fizike për aplikimin.
Qytetarët duhet fillimisht të hyjnë në llogarinë e tyre në portalin e-Albania dhe të zgjedhin shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ”.
Pas krijimit të një aplikimi të ri dhe plotësimit të të dhënave të kërkuara, duhet të zgjidhet nënshërbimi “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.
Sipas Kadastrës, në aplikim shtohen automatikisht edhe tre shërbime të tjera: lëshimi i certifikatës së pronësisë, kopja e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopja e fragmentit të hartës kadastrale.
Pas plotësimit të procedurës, aplikimi dërgohet elektronikisht, ndërsa qytetari mund të shkarkojë mandatin përkatës dhe të kryejë pagesën online, pranë Postës Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë.
Procedura lidhet me regjistrimin përfundimtar të akteve administrative të nxjerra nga ASHK për kalimin në pronësi të banesave të vjetra dhe sipërfaqeve që lidhen me to, duke u mundësuar përfituesve pajisjen me dokumentacionin kadastral të pasurisë.
Pajisja me certifikatë pronësie dhe regjistrimi i pasurisë në Kadastër ka rëndësi edhe ekonomike për pronarët, pasi një pronë me dokumentacion të plotë mund të përfshihet më lehtë në transaksione shitblerjeje, dhurimi apo trashëgimie dhe, sipas kushteve të institucioneve financiare, të përdoret si garanci për financim.
ASHK sqaron se informacioni mbi dokumentacionin që kërkohet për aplikimin mund të gjendet në faqen e saj në internet, në rubrikën “Shërbime”.
