Yield-et e obligacioneve afatgjata në ekonomitë më të mëdha të Europës arritën të martën nivele shumëvjeçare, ndërsa yield-i i bonove 30-vjeçare të Thesarit amerikan u ngjit në nivelin më të lartë në gati dy dekada.
Vala e shitjeve erdhi pasi u zbehën shpresat për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit me Iranin, duke çuar çmimet e naftës më lart dhe duke rikthyer shqetësimet për inflacion të qëndrueshëm. Nafta Brent, referenca ndërkombëtare, tregtohej të martën në mëngjes pranë 91 dollarëve për fuçi, në një klimë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme.
“Dështimi i bisedimeve të paqes mes SHBA-së dhe Iranit ka rritur rrezikun që çmimet e energjisë të mbeten të larta gjatë pjesës tjetër të vitit, çka mund ta mbajë inflacionin më të lartë se parashikimet dhe të rrisë mundësinë që bankat qendrore të rrisin normat e interesit”, tha për Euronews Business Richard Carter, drejtues i kërkimit për instrumentet me të ardhura fikse në Quilter Cheviot.
Investitorët po vënë gjithnjë e më shumë bast për një politikë monetare më të shtrënguar në eurozonë, ndërsa norma e depozitës së Bankës Qendrore Evropiane pritet të arrijë në 2.76% deri në mars 2027, nga 2.25% aktualisht.
Sipas Trading Economics, investitorët shohin një probabilitet prej 90% që Banka Qendrore Europiane të rrisë normat në shtator.
Në të njëjtën kohë, në SHBA, yield-i i bonove 30-vjeçare të Thesarit arriti në 5.33%, një nivel që nuk ishte parë që prej vitit 2007. Në Mbretërinë e Bashkuar, yield-i i obligacionit 30-vjeçar u ngjit në 5.85%, niveli më i lartë që prej majit 2026.
Ndërsa obligacionet qeveritare u përballën me presion të ri shitjeje në nivel global, yield-i i obligacionit 10-vjeçar të Francës u rrit të martën në mëngjes në 4.10%, niveli më i lartë që prej qershorit 2009.
Yield-i i Bund-it gjerman 10-vjeçar, referenca kryesore për eurozonën, kaloi mbi 3.25%, duke arritur nivelin më të lartë që prej marsit 2011.
Yield-i i obligacionit 30-vjeçar të Francës arriti nivelin më të lartë që prej vitit 2008, mes valës globale të shitjeve të obligacioneve dhe shqetësimeve në rritje për negociatat e buxhetit të Francës për vitin 2027 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, yield-i i obligacionit gjerman 30-vjeçar u rrit në 3.78%, niveli më i lartë në 15 vjet.
Rritja e yield-eve të obligacioneve afatgjata nuk po nxitet vetëm nga pritshmëritë për norma interesi më të larta dhe frika nga inflacioni.
“Investitorët janë të shqetësuar për përmasat e huamarrjes në ekonomitë kryesore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Japoninë”, vijoi Carter, duke shtuar se “edhe volumet e konsiderueshme të emetimit të obligacioneve të lidhura me inteligjencën artificiale kanë shtuar ofertën, duke krijuar presion të mëtejshëm mbi çmimet dhe duke shtyrë yield-et më lart”.
Kostot më të larta të huamarrjes ushtrojnë presion mbi ekonomitë dhe rrisin kostot e financimit për një gamë të gjerë investimesh.
Duke qenë se zyrat e menaxhimit të borxhit publik sigurojnë vazhdimisht financim në tregjet e obligacioneve, efekti i rritjes së yield-eve do të reflektohet gradualisht në kostot e huamarrjes, ndërsa qeveritë rifinancojnë borxhin që arrin afatin e maturimit.
Sipas S&P Global Ratings, Italia pritet të rifinancojë gjatë vitit 2026 borxh me vlerë ekuivalente me 17% të PBB-së, krahasuar me 12% për Francën dhe 7% secila për Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Për momentin, tregjet e obligacioneve ka gjasa të mbeten shumë të ndjeshme si ndaj zhvillimeve gjeopolitike, ashtu edhe ndaj të dhënave ekonomike”, tha Carter.
Ai shtoi se obligacionet mbeten tërheqëse për investitorët, pasi yield-et janë historikisht të larta dhe ndodhen dukshëm mbi inflacionin, duke ofruar një kthim real pozitiv pasi merret parasysh rritja e çmimeve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

